Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar sot një vizitë në spitalin rajonal të Durrësit, nga ku ka nisur shpërndarja e 36 autoambulancave të reja. Ministrja tha se më flotën e36 autoambulancave do të rriten kapacitetet në të gjithë spitalet e vendit.
“Me flotën e 36 autoambulancave ne kemi vendosur që të rrisim kapacitetet e Tiranës, gjithashtu edhe të spitaleve rajonale dhe bashkiake. Spitali i parë ku shpërndahet flota është spitali i Durrësit, paralelisht do të vijojmë me spitalet e tjera rajonale, nga Kukësi deri në Sarandë, ku me këto autoambulanca, të cilat kanë të njëjtin standard, jo vetëm do të rrisim kapacitetet, por edhe rinovojmë kapacitetet aty ku kemi patur pika të dobëta”, u shpreh ajo.
Ministrja e Shëndetësisë tha se spitalet rajonale janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID19. Më tej ajo foli dhe për procesin e vaksinimit anti-COVID, duke thënë se të parët që do marrin vaksinën do të jenë bluzat e bardha në spitalet COVID.
“Ajo çka pritet tani është fillimi i vaksinimit dhe ne e kemi thënë do të fillojmë me ata të cilët janë në vijën e parë të kësaj lufte, me mjekët, me infermierët në spitalet COVID, me punonjësit e urgjencave, të cilët janë në frontin e parë dhe po vijojnë këtë betejë me këtë armik të padukshëm”, tha Manastirliu.
/a.r