Një ngjarje e rëndë për një motiv tejet banal ka ndodhur mes dy të miturve shqiptarë në Rodos të Greqisë. Mediat helene raportojnë se djali 12-vjeçar goditi tre herë me thikë të motrën 11-vjeçare pasi u konfliktuan se kush prej tyre do të priste sallatën. Për pasojë e mitura mbeti e plagosur rëndë në këmbë.
Dy fëmijët jetonin vetëm me babanë e tyre, një punëtor ndërtimi që kujdeset i vetëm për fëmijët pasi nëna e të miturve ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë 9 vjet më parë. Fëmijët ishin 3 dhe 4 vjeç kur nëna i la.
Mungesa e shpeshtë e babait në shtëpi mund të ketë luajtur një rol në edukimin e tyre. Megjithatë duke folur për prokurorët babai tha se nuk kishte ndodhur kurrë një sherr i ngjashëm mes dy fëmijëve në të shkuarën.
“Ai nuk ka shfaqur ndonjëherë shenja të tilla agresioni”, tha babai para prokurorit.
Avokati i tij, Stelios Alexandris, duke folur për protothema.gr, deklaroi se kjo ngjarje e pabesueshme ndodhi për një arsye të parëndësishme dhe qesharake.
“Të dy të miturit, vëlla e motër u grindën se kush do ta priste sallatën në tryezën e familjes, ndërsa prisnin të atin të kthehej nga puna”, tha avokati. Sherri për motive qesharake për pak nuk përfundoi në tragjedi.
Vajza humbi shumë gjak nga plagët e marra dhe u transportua me ambulancë në Departamentin e Urgjencave të Spitalit të Përgjithshëm të Rodosit për ndihmën e parë.
Vajza është në një gjendje shoku dhe shprehu dëshirën të lërë jo vetëm shtëpinë e saj por edhe Greqinë dhe të vendoset në Shqipëri në shtëpinë e tezes së saj. I tronditur ka mbetur edhe djali që u përpoq ta justifikojë veten duke thënë se e gjitha ishte një shaka dhe nuk kishte ndërmend ta dëmtonte të motrën. Me urdhër të prokurorit, sjellja e tij do të vlerësohet nga psikologët.
Babai i dy fëmijëve, përmes avokatit të tij, Stelios Alexandris, ka pranuar vendimin e vajzës së tij për të lënë Greqinë dhe për të lëvizur në Shqipëri në shtëpinë e të afërmve të tyre, duke theksuar se shëndeti i saj mendor dhe fizik është kryesori. Derisa vajza të udhëtojë në Shqipëri, ajo do të qëndrojë përkohësisht në jetimoren e ishullit./a.p