Goditja e kodit zgjedhor në Gjykatën Kushtetuese është për Jozefina Topallin goditje e pazarit të fundit të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës për mbylljen e listave të kandidatëve për deputet dhe betonizimin e kontrollit mbi partitë që drejtojnë.
Drejtuesja e Lëvizjes për Ndryshim, akuzon liderin e opozitës dhe te mazhorancës se për muaj të tërë i mashtruan qytetarët se do të hapnin listat.
“Por ka një mijë arsye të tjera të kodit zgjedhor qe duheshin çuar në gjykatën kushtetuese sepse në fakt marrëveshja ose pazari i fundit dhe me dëmin më të madh ndaj lirisë së votës dhe lirisë së zgjedhjes është pazari që kanë bërë dy kryetarët e partive në opozitë dhe në qeveri për të cimentuar pozicionet e tyre jo vetëm për të bërë monopol forcat politike kryetarë të të cilave ata quhen, por për të bërë monopol edhe skenën e re politike për të shtuar pengesat për cdo lëvizje të re.”
Për Topallin marrëveshja mes Ramës e Bashës shkon përtej reformës zgjedhore , dhe për këtë arsye sondazhi i fundit i institutit demokratik amerikan tregoi se 2/3 e qytetarëve janë të pakënaqur nga qeveria, por edhe nga opozita.
“Unike në botë, hyn në Guinness dhe ndodh vetëm kur opozita është e shitur tek qeveria.
Në asnjë vend të botës nuk ndodh që shoqëria të jetë më e pakënaqur nga opozita sesa nga qeveria sepse ata kanë tradhtuar atë që ishte shpresa e shqiptarëve tek opozita për të sjellë një ndryshim.
Ata kanë kuptuar se brenda treshes ka një riciklim ku mund të ndryshojnë drejtorët e doganave apo tatimeve por në jetën tyre nuk ndryshon asgjë.”