Nga Bajram Peçi
Përbetimet mbi Veriun e Kosovës, si nga shqiptarët ashtu dhe serbët, nuk arrijnë dot në veshin e Perëndisë. Në gjuhën e përdorur dhe argumentat e dhëna, nga të dy palët nuk kanë rreshtur së u dhëni tregime, legjenda, mite e të vërteta, të cilat do duhej të dëgjoheshin nga Perëndia e Ajo, qiellorja, t’i jepte zgjidhje këtij konflikti. Vetëm me frymën e shenjtë ka gjasa se zgjidhet, ndërsa shanset se vihet në rrugën e mirëkuptimit përmes negociatave, që BE organizon dhe kontrollon mes palëve, janë baras me zero. Sa u përket tokësorëve, gjërat janë kaq të ngatërruara, sa çdo orvatje nga palët e ka çuar përpos se në qorrollepsje.
E keqja e madhe i ka rrënjët te vendimet e Fuqive të Mëdha për të kënaqur me toka shqiptare orekset serbo-ruse. Coptimi i tokave ku jetonin shqiptarët ishte një mënxyrë. Mijëra shqiptarë në Jug e Veri ranë nën robërinë greke e serbe. Si myslimanët ashtu dhe katolikët shqiptarë të Kosovës e kundërshtuan me zemërim hyrjen arbitrare të tyre në Jugosllavi. Edhe Veriu i Kosovës, në përshkrimet e bëra nga Georg von Hahn, Mariano Bolizza, Mas Latrie, Hopf, Ami Boue, Morton Eden, etj., i përmbahen realitetit se janë troje te banuara nga shqiptarët. Duke ju referuar historisë, këtyre dardanëve, paraardhës të ilirëve, demografia dhe struktura e sotme nuk ju vjen dhe aq më në ndihmë.
Kam patur gjithnjë bindjen se veriu i Kosovës, kështu siç kanë evoluuar dhe janë nxitur gjërat, në Republikën e Kosovës do ishte një masë tumoroze. Dhe, kur thua “Tumor”, ke parasysh edhe shpjegimn e saj mjekësor, metastazat që hapen gradualisht në tërë trupin, të afta ta vdesin atë fizikisht.
Bindesh edhe më rreth kësaj mase kanceroze kur lexon një analizë-opinion të Baton Haxhiut mbi Veriun dhe Trepçen, botuar në të përditëshmet shqiptare, më 20 dhjetor. Shifrat dhe faktet, që sjell gazetari i njohur, janë tronditëse. Bëhet fjalë për një territor i cili ekziton vetëm në hartën fizike të Republikës së Kosovës, por nuk ekziton asgjëkundi tjetër! Nuk figuron në faturat e korentit dhe ujit; në taksa, tatime e dogana; nuk ka prani të saj në të ardhurat e buxhetit, por është zë i rëndësishëm në shpenzime dhe investime. Me një fjalë: një territor jashtë kontrollit, jashtë administrimit, ku ndalohet madje dhe të hysh!?
Një shoqëri nuk mund të lindë ndyrësirë më të pështirë se urrejtja për fqinjin, siç ndodhi me serbë e sllave ndaj pranisë autoktone shqiptare! Në Jugosllavi (me pak rëndësi nëse periudha ishte e mbretit Peter, e diktatorit republikan Tito apo “socialistit” Millosheviç) të tre këto struktura e formacione ekonomiko-shoqërore të ndryshme kishin të përbashkët urrejtjen dhe sjelljen ndaj shqiptarëve, të vetmit që në Jugosllavi nuk ishin sllavë.
Programet e shfarrosjes, shpërnguljes e dëbimit ishin njëtrajshmërisht pjesë e pandarë e këtyre 100 vjetëve. Ato shoqëroheshin me transferime e riardhjet sllave, për të mbushur “boshllëkun”, në ndihmë të të cilave vinte “Reforma agrare” dhe vite më pas, punësimi në Europë.
A e din, lexues i nderuar, se pse në mënyrë masive në fund të viteve ’60 e fillim vitet ’70, ishin nga të parët shqiptarët ata që morën të drejtën për t’u punësuar në Europë? Nuk është rastësi, as që ka lidhje me papunësinë e varfërinë e tyre, por është kryekëput e programuar, madje me nxitjen e marshallit Tito, që të ishin shqiptarët nga të parët, që Mionistria e Brendshme të paiste me dokumente; të dërgoheshin ata me shumicë jashtë, me shpresën se nuk do ktheheshin më. Pasuan më tej urdhëresat, të cilat u hiqnin pasaportizimin dhe të drejtat atyre që nuk ndodheshin në banesa. Me të tilla rengje e politika, jo vetëm strukturën e popullatës në Mitrovicën e Veriut, Zubin Patok, Leposaviq dhe Zveçan, mund te ndryshoje, por çdo vend banim tjetër.
Në Jugoslavinë e pas Luftës së Dytë Botërore, koha kur u bë ndarja mes republikave të federatës, dihet se Krahinës së Kosovës qëllimisht i lanë vëndbanime me shumicë serbe dhe i hoqën asaj nga trungu vëndbanime me shumicë të pastër shqiptare. Kështu vepruan edhe në Republikat e Malit të Zi dhe Maqedonisë. Qëllimi: Faktori shqiptar të ishte sa më i coptuar, sa më i përçarë. Dhe nuk ju doli keq!
Kur ideja se ekzistonte mundësia e shkëmbimit të territoreve, u përhap, reagimet ishin pro e kundër. Bolton thotë se nuk ishin ata strumbullari i kësaj ideje. Ata që e pranonin këtë version u shpallën armiq, ata që e kundërshtonin u vetëcilësuan atdhetarë të përkorë. Albin Kurti, një bajraktar i ri partiak, mburravec dhe mediokër, bëri marrëzinë e konfrontimit me SHBA-në. Vjosa osmani, e pa përvoj;e në politikë, pa njohur ende hapësirat e dipllomacisë në sjellje, pa e njohur idenë e minishengenit, vjen kaluar në Parlamentin shqiptare dhe akuzon për këtë ide (që i shërben Ballkanit) kryeministrin Edi Ranma. Haradinaj-kryeministër i la qytetarët e Kosovës pa mundësinë e lëvizjes pa viza në Europë, duke lënë nam në kanceleritë e Berlinit e sidomos Parisit, me kryeneçësinë e tij foshnjërake. Po, mirë o njeri, a ndodhesh ti në ato shkallë që t’i bësh karshillik presidentit Makron?!
Ja dhe dy lajmet e fundit:
-Lavrov, gjatë vizitave këto dy-tre ditë, që u bëri republikave sllave të ish Jugosllavisë, e theksoi disa herë se Serbisë nuk do i lejohet asnjë marrëveshje me Kosovën, pa pëlqimin e Rusisë, që i jep asaj njohje.
-Vuçiç deklaroi se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën sa kohë ai do jetë presidenti i Serbisë.
Në këto rrethana, iluzionet e Bashkimit Europian se bisedimet mes palëve do çojnë drejt njohjes, qartazi duken që janë larg të vërtetës!? Iluzione mund të mos ketë Kosova, por ky shtet, duke qenë se trajtohet si protektorat europian, janë të detyruar të shkojnë në këto bisedime. Nuk ndodhen në pozita që të pyeten, të shkojnë apo të mos shkojnë?
NATO është i vetmi institucion i shëndetshëm, i nevojshëm dhe i domosdoshëm në Kosovë. Të tjerat: KFOR, UNMIK, Prokuroria Speciale, Dhoma të Specializuara, veçse e nëpërkëmbin, i dëmtojnë mëvetësinë, e degdisin në skuta jo transparente, ku krerëve u diktojnë arbitrarisht të hedhin firmën në dokumente të parapërgatitura, të favorshme për Serbinë, denigruese për Kosovën, siç ishte ajo e asosacionit të komunave serbe dhe fusnota e famshme.
Iluzione, iluzione, iluzione-dështime, dështime, dështime! Hapësirat e blerta të Dejtonit, ku mori rrugë paqa në ish Jugosllavi, krijoi Bosnjën dhe Hercegovinën e çuditëshme për juriprudencën. Edhe Kosova rrezikon shumë kështu si e kanë lënë. Do të duhet të priten që SHBA-së dhe Rusisë t’i vijnë shtetarë që ta zgjidhin me guxim dhe përfundimisht këtë çshtjen e Veriut të Kosovës. Europa, Serbia dhe Kosova nuk e zgjidhin dot.