Nga Carlo Bollino
Këto janë ditë të vështira për Policinë e Shtetit pas incidentit që përfundoi me vdekjen tragjike të Klodjan Rashës, i vrarë nga arma e një efektiv të papërgatitur, i arrestuar menjëherë nga kolegët e tij. Vrasja, e cila do të gjykohet nga një gjykatë, tani po përdoret nga politika e cila e ka kthyer atë në një shkak të ri të protestave kundër qeverisë. Por kësaj here demonstruesit nuk kanë ndërmend të godasin vetëm qeverinë, por edhe krerët e lartë të policisë, e cila ndryshe nga politikanët duhet të ruajë besimin e njerëzve, si një kusht i domosdoshëm për funksionin e që kanë. Kjo është arsyeja pse është thelbësore që policia të mbajë qetësi dhe gjakftohtësi në përplasjet në rrugë dhe të respektojë në mënyrë rigoroze rregullat.
Ne nuk besojmë se një polic duhet të pranojë të goditet me një shufër, ose fishekzjarre, pa mbrojtur veten, siç pretendojnë analistët e opozitës. Në të gjitha vendet demokratike, policia, e cila është një forcë e paguar për të rivendosur rendin, është e autorizuar të përdorë dhunë në përgjigje të dhunës, me kusht që ta bëjë këtë në një mënyrë proporcionale. Por ne, gjithashtu, nuk besojmë se përdorimi i oficerëve me rroba civile që arrestojnë demonstruesit, i tërheqin ato si kafshë dhe më pas ua dorëzojnë oficerëve me uniformë i shërben imazhit të policisë. Ne u përpoqëm të pyesnim pse ka oficerë me rroba civile, dhe shpjegimi ishte se ata shërbejnë për të ndaluar demonstruesit me fytyrë të mbuluar, të cilët nuk mund të identifikohen vetëm me kamera. Shpjegimi nuk mjafton për të justifikuar skenat e dhunës që kemi parë dhe që kujtojnë jashtëzakonisht imazhet e gjenerali Agim Shehut (krahu i armatosur i Sali Berishës brenda policise) i cili me rroba civile rrahu kundërshtarët në shesh.
Ekziston një ligj që rregullon tubimet publike, të cilin demonstruesit janë të detyruar ta respektojnë. Por i njëjti ligj zbatohet edhe për policinë dhe neni 9 i Ligjit 8773 (miratuar nga Partia Socialiste në 2001) shprehet në mënyrë të qartë se shpërndarja në tubime mund të realizohet “vetem nga policia me uniformë”. Shteti është më i fortë se demonstruesit, por nuk ka nevojë të tregojë tërë forcën e tij nëse dëshiron të ruajë mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Demonstruesit e dhunshëm janë dhe duhet të mbeten një pakicë, por që të ndodhë kjo, është thelbësore që policia të vazhdojë të përfaqësojë pjesën e shëndetshme të vendit. Dhe gjëja e parë është heqja e atyre policëve me rroba civile nga sheshi, dhe kryerja e arrestimit të demonstruesve me respektin dhe dinjitetin që policia duhet të ruajë gjithmonë.