Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të projektit Networking for Smart Tourism Development (NEST), të financuar nga programi Interreg – IPA CBC Itali – Shqipëri – Mali i Zi, po zhvillon trajnimin online “Ngritja e kapaciteteve të operatorëve turistike drejt Turizmit SMART”, me qëllim ngritjen e kapaciteteve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që operojnë në fushën e turizmit (NVMT) në Shqipëri, përfshi këtu edhe aspirantë/start-up që kanë ide origjinale për zhvillimin e aktivitetit të turizmit SMART dhe aplikimin e teknologjive të avancuara për menaxhimin dhe promovimin e tij.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet janë edhe përfaqësues nga dy partnerët e projektit, Unisalento, përfaqësuar nga Prof. Valentina Ndou dhe Tecnopolis -Parku Teknik-Shkencor, përfaqësuar nga Gabriella Dellino, PHD, PMP. Pjesëmarrësit në këtë trajnim kanë rastin të diskutojnë mbi çështjet e trajtuara nga moderuesi i këtij aktiviteti, Prof. Asoc. Edmond Kadiu, nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, departamenti i Menaxhimit të Turizmit Rural, në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Gjatë këtij aktiviteti, secili nga pjesëmarrësit do të paraqesi një ide “inovative” për zhvillimin e një destinacion turistik me karakteristika SMART, ide që kanë si synim promovimin e formave alternative të turizmit, duke i dhënë prioritet aktiviteteve dhe eksperiencave turistike që lidhen me sportet, natyrën, kulturën, eno-gastronominë dhe verën. Pjesëmarrësit do kenë mundësi të ndërveprojnë e të matin forcat e tyre në krijimin e itinerareve eksperienciale të turizmit ndërkufitar dhe mund të shohin pjesëmarrjen e tyre aktive në promovimin e marketingut te autoritetet lokale, operatorët turistikë dhe bizneset të cilat operojnë në territoret e afektuara nga ky projekt.
Gjithashtu, pjesëmarrësve në këtë aktivitet, do t’ju krijohet mundësia e ndërlidhjes/ndërveprimit me NVMT nga Italia (Puglia dhe Molise) dhe Mali i Zi, për shkëmbimin e ideve e eksperiencave, si dhe për krijimin e ofertave të përbashkëta atraktive sa i takon menaxhimit te destinacioneve. Finalizimi i projektit NEST (produkti i fundit) ka lidhje pikërisht me këtë aktivitet, në përfundim të të cilit do të zbatohen dhe eksperimentohen itinerare të reja të përshtatura me karakteristikat unike të secilit vend (“shtigje te reja për menaxhimin e destinacioneve turistike ne zonen IPA”, e më konkretisht tri itinerare tematike ndërkufitare).
Disa nga objektivat specifike të trajnimit janë:
– Të sigurojë konceptet themelore të “menaxhimit të destinacionit turistik SMART dhe të inovacionit të firmave turistike”;
– Të prezantojë modelet, aplikacionet dhe shtigjet kryesore në fushën e inovacionit, teknologjive digjitale, qëndrueshmërisë dhe aksesit, duke analizuar praktika specifike dhe duke zhvilluar hipoteza në kuadër të projektit;
– Të sigurojë njohjen e përdorimit të mjeteve metodologjike dhe operacionale, si për të kontribuar në krijimin e “destinacioneve të turizmit SMART” ashtu edhe për të hartuar dhe promovuar shtigje/itinerare “SMART” të afta për të tërhequr turistë në vendet në zonat ndërkufitare (Itali, Shqipëri dhe Mal i Zi).