Drejtues të lartë të Partisë Socialiste reaguan sot ndaj sulmit ndaj selisë së kësaj partie nga protestues të dhunshëm.
“Sa kohë Sali Berisha të drejtojë PD, kjo parti do të ketë vizion rrëmujën, program vandalizmin dhe ekip katrahurën”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Balla publikoi foto nga selia e Partisë Socialiste, ku duken xhamat e thyera nga protestuesit.
“Lulëzim Basha ku je futur? Dil dhe distancohu nga dhuna apo s’e bën dot, s’ke faj! Sepse je ti pjesë e organizimit të dhunës bashke me Monikën e me Ilirin, teksa dërguat FRPD tënde dhe ca nga ata të tiganit të Jalës të godisnin me gurë selinë e Partisë Socialiste”, tha Balla.
Zv.kryeministri Erion Braçe publikoi po ashtu sot pamje nga selia e Partisë Socialiste me xhama të thyer nga protestuesit, ndërsa deklaroi se kurrë në 30 vite PS nuk ka sulmuar selinë e ndonjë partie.
“Kjo është selia e PS-së, pas sulmit të dhunshëm të llumit të Sali Berishës e Lulzim Bashës. Një kriminel si Sali Berisha, nga 1991 e deri në 1996, ka sulmuar e dhunuar socialistë të zakonshëm brenda në selitë e PS në rrethe”, tha Braçe.
Por, sipas tij, “në Tiranë nuk ka guxuar kurrë”.
“As në 1996 kur vodhi zgjedhjet e masakroi socialistët, i izoloi brenda rrethimit e s’e kaloi kurrë atë. As në 1997 kur kontrollonte vetëm Tiranën me horrat paramilitarë të tij. As në 1998 kur i dha një grusht kriminal shtetit. Më pas jo e jo! E bëri sot ai dhe Lulzim Basha”, tha Braçe.
“Barrë të madhe ke marrë mbi supe Lulzim, barrë shumë të madhe! Dhe s’e di si do e mbash këtë turp. Ke mbi kurriz një krim të përbindshëm me katër të pafajshëm të pushkatuar, nuk ke kurriz ti të mbash dhe më. Mbi të gjitha, do kesh mbi kurriz çdo krim që i bën prej dy ditësh Tiranës, qytetit e qytetarëve që urren pse kurrë nuk të mbështetën”, përfundoi Braçe.
/a.r