Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se, “papunësia në Shqipëri është ulur në nivelin më të ulët të rajonit”.
Në një intervistë televizive i pyetur për premtimin për 300 mijë vende pune, Rama tha se, “në vitin 2013, dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme në regjistrat e shtetit, ka pasur 439 mijë e disa të punësuar. Sot ka 673 mijë të punësuar”.
Rama theksoi se, “përveç të punësuarve njëherë, ka dhe vende pune, që do të thotë ka të punësuar dy herë”.
“Në vitin 2013 kanë qenë rreth 450 mijë. Sot janë 720 mijë vende pune aktive sot në Shqipëri. Kështu që faktikisht nëse i referohemi punësimit jemi në linjë me çfarë jemi zotuar”, u shpreh Kryeministri.
“Janë në regjistra të punësuar të regjistruar. Nuk flas për punë në të zezë, flas për të punësuar të regjistruar”, tha Rama.
Duke vijuar me shifrat e papunësisë, Rama tha se papunësia në Shqipëri është ulur në nivelin më të ulët të rajonit.
“Banka Botërore ka bërë raportin e papunësisë dhe Shqipëria është vendi me papunësinë më të ulët në rajon 11 e diçka %. Nëse do të krahasohemi me Gjermaninë patjetër që ne nuk jemi të krahasueshëm”, tha Rama.
I pyetur në lidhje me heqjen e taksës së naftës për bujqësinë Rama, u shpreh se, “heqja e taksës së naftës për bujqësinë është fakt, nuk është më premtim”.
Kryeministri vuri në dukje se fillimisht qeverisë iu desh të paguante borxhet e lëna.
“Kur ne erdhëm në qeveri në vitin 2013, ne gjetëm një borxh të papaguar të qeverisë ndaj të tretëve, ndaj kompanive, ndaj individëve në një masë që është shumë më e madhe sesa ajo që ne dinim dhe sesa ajo mbi të cilën ne ndërtuam parashikueshmërinë tonë. Ne u morëm me borxhin”, theksoi ai i pyetur përse u zbatua tani heqja e taksës së naftës për mekanikën bujqësore.
/g.kosovari