Ditën e sotme është ndarë nga jeta ish sportisti Petrit Murzaku në moshën 88-vjeçare. Prej 3 vitesh ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ishte në regjim shtrati.
Murzaku ishte një ndër pionierët dhe ikonat e mëdha të Klubit Sportiv “Partizani”, Petrit Murzaku.
Ai ka lënë gjurmë në fushat e volejbollit, basketbollit, futbollit dhe atletikës së lehtë, që prej viti 1948 deri më 1964, pra për 16 vjet, për ta vazhduar pastaj jetën sportive në kah tjetër, si trajner dhe specialist dhe drejtues i përgatitjes fizike në shkolla të specializuara ushtarake, deri më 1987-n, kur edhe doli në pension, në moshën 55-vjeçare.
Petrit Murzaku ka fituar 9 herë kampionatin kombëtar të volejbollit, 4 herë kampionatin kombëtar të basketbolli, 3 herë kampionatin kombëtar të futbollit, si dhe ka qenë 9 herë kampion në hedhjen e shtizës, në të gjitha pjesëtar i “Partizanit”.
Ai ka zhvilluar 110 ndeshje ndërkombëtare në volejboll dhe basketboll dhe ka fituar 57 prej tyre, pa përmendur fitoret në Kupat e Republikës, duke fituar shumë e shumë medalje e trofe. Murzaku u lind në Tiranë më 1932-shin dhe rrugëtimi i tij arsimor e çoi atë nga Instituti i Lartë i Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në kryeqytet, në Shkollën Ushtarake Pedagogjike “Leningrad”, në ish-Bashkimin Sovjetik, e për të vijuar më pas me një karrierë të larmishme dhe të pasur sportive, që ishte për t’u patur zili./a.p