Një lajm i rëndë vjen sërish për botën e futbollit. Është ndarë nga jeta në moshën 31-vjeçare për shkak të sëmundjeje të rëndë, (kancer në stomak) ish-lojtari i përfaqësueses së Marokut, Mohamed Abarhoun.
31-vjeçari e zbuloi se vuante nga kjo sëmundje e rëndë në muajin shkurt, kur ishte pjesë e Rizesporit në Turqi.
Lajmin e largimit të tij nga jeta e njoftoi vetë klubi turk përmes një deklarate për shtyp. “Kemi mësuar me trishtim lajmin e vdekjes së Mohamed Abarhoun, i cili trajtohej prej kohësh. Zoti e mëshiroftë dhe ngushëllime të afërmve dhe familjarëve”, shkruhet në deklaratën e klubit.
Abarhoun luajti shtatë vite në Marok për Moghreb Tetouan, ku fitoi dy tituj kampionë, para se të transferohej në ekipin portugez Moreirense, të cilin e la vitin e kaluar për t’u bashkuar me Rizesporin.
Në nivel kombëtareje, mbrojtësi ndihmoi kombëtaren U-23 të Marokut që të kualifikohej për Lojërat Olimpike 2012 në Londër dhe u aktivizua në dy ndeshje. Ai gjithashtu luajti për Marokun në Kupën e Kombeve të Afrikës në vitin 2014 si dhe në dy ndeshje miqësore./a.p