Mike Tyson rikthehet në ring pas 15 vitesh dhe e bën këtë në “Staples Center” të Los Angelosit përballë Roy Jones në një ndeshje vitrinë mes dy legjendave të boksit amerikan, e cila në fund u mbyll në barazim, sipas jurisë së WBC.
Tashmë në moshën 54-vjeçare, “Iron Mike” (Majku i hekurt) kishte nisur prej kohësh përgatitjet për t’u rikthyer në ring dhe në përfundim të ndeshjes me 51-vjeçarin Jones, nuk e fshehu kënaqësinë e të boksuarit përsëri.
Dy peshat e rënda nuk u kursyen aspak në “Staples Center” dhe dueluan për plot 8 raunde dy minutëshe, shpesh edhe me një boksim të niveleve të larta, ndërsa në fund e mbyllën ndeshjen duke qeshur, teksa dukshëm nuk kishin marrë dëmtime të shumta.
“Ishte shumë më mirë sesa kur duelojë për titull. Tani jemi humanitarë dhe provojmë të bëjmë diçka të mirë për botën. Jam i kënaqur me një barazim, por ndoshta duhet ta përsëritim sërish një ndeshje të tillë”, tha Tyson pas ndeshjes.
Mike Tyson u tërhoq nga boksi në vitin 2005 si një legjendë e këtij sporti, ndërsa pas plot 15 vitesh vendosi të rikthehej në ring dhe kishte nisur prej disa muajsh të përgatitej për përballjen e mbrëmshme, teksa ndër të tjera kishte ndryshuar edhe dietën, duke iu rikthyer konsumit të mishit.