Pfizer dhe BioNtech kanë përditësuar rezultatet për vaksinën e prodhuar kundër COVID-19. Pfizer ka deklaruar sot se të dhënat e reja tregojnë se vaksina e tyre është 95 % efektive, nga 90% që u deklarua një javë më parë dhe se nuk ka efekte anësore. Të dhënat tregojnë se vaksina ka mundur të parandalojë format e lehta dhe të rënda të COVID, sipas kompanisë. Një tjetër lajm i mirë është se vaksina e Pfizer është 94% efektive tek të moshuarit dhe të rriturit, dy kategori që ende nuk dihej deri më sot efektiviteti i vaksinës.
New York Times raporton se Albert Bourla, shefi i Pfizer është shprehur: Rezultatet e studimit shënojnë një hap të rëndësishëm në këtë udhëtim historik tetë-mujor për të sjellë përpara një vaksinë të aftë për të ndihmuar në përfundimin e kësaj pandemie shkatërruese.
Kompania pret autorizimin e F.D.A, dhe me të marrë aprovimin Pfizer pret të prodhojë deri në 50 milion doza në dispozicion deri në fund të vitit dhe deri në 1.3 miliardë në fund të vitit të ardhshëm.
Lajmi i keq është se gjysma e furnizimit të tij, do të shkojë në SHBA në vitin 2020, për rreth 12.5 milionë njerëz, nga popullsia e plotë e vendeve që kap vlerën e 330 milionë njerëzve. Vaksina për amerikanët është falas, falë marrëveshjes që u arrit nga qeveria me Pfizer.
Rezultatet e sotme pasojnë raportimin pozitiv të javës së fundit, ku u zbulua se vaksina ishte më shumë se 90 për qind efektive. Të hënën, ishte kompania Moderna që deklaroi se kishte një vaksinë 94.5 për qind efektive. Pfizer ka garantuar se vaksina është efikase në të gjitha moshat, racat dhe etnitë. Efektet anësore të deritanishme janë lodhja, ndërsa pas dozës së dytë, një dhimbje koke. Të moshuarit kanë patur efekte anësore më të lehta.
Akiko Iwasaki, një imunolog në Universitetin e Yale i tha gazetës se rezultati për të moshuarit është mbresëlënës. “Ne e dimë nga vaksina e gripit se është shumë e vështirë të arrihet mbrojtja në këtë grup moshë me vaksina”, kështu që efikasiteti prej 94 përqind në këtë grup “është me të vërtetë i jashtëzakonshëm”.
Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar më herët se vaksinimi fillimisht do të bëhet tek kategoritë e rrezikuara dhe të ekspozuara, si punonjësit e sistemit shëndetësor dhe të moshuarit.
Pfizer gjithashtu ka deklaruar se është gati që përveç provës klinike, të japë në FDA dy muaj të plotë raportim të të dhënave të sigurisë.
g.kosovari