Vrasja e Jurgen Kurtit ose siç njihej ndryshe në Tiranë si “Menaxheri i Vip-ave”, ka vetëm një autor, pasi prokuroria e Tiranës ka vendosur të pushojë akuzën e vrasjes për dy personat e arrestuar në 26 mars 2020, Alesio Berberi dhe Olsi Qalliaj. Akuzat penale janë pushuar edhe për personin e shpallur në kërkim, Klodian Bane ose “Buxhaku”, i cili konsiderohej nga policia e Tiranës, si personi kryesor që dyshohej se kishte qëlluar mbi Jurgen Kurtin, sapo ky i fundit ka dalë nga palestra dhe është drejtuar në hyrje të pallatit.
Pushimi i akuzës për Klodian Banen, detyrimisht ka sjellë dhe revokimin nga ana e prokurorisë të masës së sigurisë “arrest në burg” të vënë në mungesë. Ky i fundit përgjatë gjithë kësaj kohe ka qëndruar në arrati, duke mos u dorëzuar në polici.
Por pse shpëtuan të akuzuarit?
Një vit më parë, në shtator të 2019-ës, Gjykata e Apelit liroi për mungesë provash Olsi Qalliajn dhe Alesio Berberin. Në burg qëndroi vetëm Elsi Levendi, pasi mbi të rëndon akuza e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve” dhe “Vrasjes me paramendim”, për shkak të gjetjes së një pistolete TT pa leje në momentin e arrestimit. Ndërsa, gjatë hetimeve nuk u provua lidhja e të pandehurve me vrasjen, pasi gjatë verifikimit ditën e vrasjes, më 18 mars 2019, Olsi Qalliaj ishte në Fier në momentin e ngjarjes.
Jurgen Kurti, djali i njohur i klubeve dhe jetës së natës në Tiranë, u vra më 18 mars 2019 në afërsi nr. 8, sapo kishte dalë nga palestra. Pista kryesore e prokurorisë është se vrasja ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve për territorin e shpërndarjes së drogës në klubet e natës në Tiranë.
g.kosovari