Teksa gara për 25 prillin ka hyrë në një fazë të nxehtë edhe pse jemi gjashtë muaj para zgjedhjeve, Jozefina Topalli u rikthye në politikën aktive në një betejë që ajo thotë se e ka kundër të gjithëve. Çfarë do të ndodhe në Shkodrën që gjithmonë ka votuar djathtas?
Akuzuesit dhe mbështetësit, ata që iu bashkuan dhe ata që po mundohen ta pengojnë garën e saj, marrëdhënia me Sali Berishën, Edi Ramën, Lulzim Bashën dhe Ilir Metën.
Kujt do t’japë mandatet nëse rezulton ftuese në zgjedhje? A ka patur takim me diplomatë të huaj në Shqipëri dhe nëse po, për çfarë kanë diskutuar? Kush do ta formojë qeverinë pas 25 prillit dhe pse ajo thotë se e ka luftën kundër tre kryetarëve?
Ku do të kandidojë Jozefina Topalli në zgjedhjet e 25 prillit?
Kjo është gjëja më e parëndësishme, por unë betejën do ta bëj në Tiranë, por edhe në çdo qytet të vendit tonë. Dua të sqaroj një gjë, që në këtë betejë nuk hyj thjesht për të marrë një karrige parlamenti, sepse mund ta kisha siguruar edhe në variantin e mëparshëm që ju thatë. Unë e kam pasur këtë karrige për vite të tëra dhe nuk më jep, nuk më shton asgjë nga ajo që kam pasur. Unë i kam arritur të gjitha këto gjëra në jetën time politike. Beteja që po bëj nuk është për veten time. Në fakt është një sakrificë që kam ndërmarrë, por e bëj në emër të të gjithë atyre me të cilët kam punuar 20 vite rresht, edhe të atyre që ndoshta nuk i kam pasur përkrah por që janë të zhgënjyer nga të tre kryetarët në këtë moment që ne po flasim.
Besoj se e keni dëgjuar që me ndryshimet kushtetuese, ju jepet mundësia që të kandidoni në më shumë se një qark, si emër i parë duke qenë kryetare e kësaj force politike. Apo nuk do të jeni ju?
Me kohë do të flasim përsëri dhe do të diskutoj me ata me të cilët unë do të bashkëpunoj.
“Nuk dua të gjykoj komisionin sepse unë shoh thelbin te mënyra e procedimit që s’ka lidhje me komisionin, qoftë me formularin që është fyes, qoftë edhe me formularin e dytë që kërkon që çfarëdo të ndodhë nga përzgjedhja apo nga eliminimi nga lista për kandidim, ti duhet të mbyllësh gojën dhe s’ke të drejtë të ankohesh dhe të thuash asnjë fjalë pakënaqësie. Ky është enverizëm. Përveç faktit që ka krijuar, në fillimet e veta, ky proces krijoi një luftë civile brenda forcës politike. Nuk e meriton PD-ja që ta fusësh në procese ku të votosh më të keqin. Nuk votohet më i keqi, as nuk votohet për inat. Votohet ai që ka emrin më të mirë, reputacionin më të mirë, ai që mbledh vota më shumë, jo ai që është servil më shumë apo ai që të propozon kunati. Kjo është e papranueshme. Ndaj edhe po them që di të bëj ndarje edhe shqetësimi edhe problemet e mëdha që ndodhin brenda asaj force politike”, tha Topalli.
“E përsëris edhe një herë, që unë jam shumë e qartë. Vendi ynë ka nevojë për t’u çliruar nga tre kryetarët dhe 25 prilli do të japë një përgjigje ndaj tre kryetarëve që mbajnë peng këtë vend”, tha Topalli.
Pak muaj më parë u bë publik në të gjitha mediat një lajm se ju kishit pasur një takim me ambasadoren e SHBA-ve zonjën Juri Kim, në Tiranë. A është i vërtetë një informacion i tillë dhe nëse po, për çfarë diskutuat?
Kemi diskutuar shumë gjatë për të gjitha zhvillimet politike, ekonomike, për të ardhmen e vendit tonë dhe për nevojën për të pasur një vend, i cili ka nevojë për një qeveri që del nga vota e lirë, ka nevojë për një opozitë që nuk tradhton misionin e saj, ka nevojë për të luftuar korrupsionin, ka nevojë për të pasur një administratë që t’u shërbejë qytetarëve, ka nevojë për t’u dhënë shpresë të rinjve.
Ishte ambasadorja Juri Kim një nga iniciueset apo mbështetëset e para që ju të ktheheni në politikë dhe të keni forcën tuaj politike?
Jo, nuk mund ta them këtë. Nuk qëndron një gjë e tillë. Biseda ka qenë e gjerë, parimore dhe për zhvillimet, por nuk ka lidhje as me iniciativat personale, as me rastin në fjalë.
Takimin e kërkuat ju apo zonja Kim?
Mendoj se është më korrekte po të mos jap përgjigje.
Do bëhej presidente? Topalli: S’i dua pozicionet komode! Jam njeri i sfidave
Sa herë që është diskutuar një dorëheqje e mundshme e zotit Ilir Meta, apo edhe më herët, emri juaj është lakuar si Presidente e Shqipërisë. Përtej probabilitetit për të qenë diçka e realizuar apo jo, ju e keni si një dëshirë apo ambicie personale që të jeni kryetare e shtetit shqiptar?
Asnjëherë s’e kam pasur. Dhe fakti që jemi këtu ku jemi sot, tregon edhe një herë sesa false dhe të pabazuara kanë qenë shpifjet gjatë kësaj periudhe.
Pra, nuk ka pasur asnjë komunikim disi zyrtar, p.sh. me përfaqësues të qeverisë?
Asnjëherë. Asnjëherë nuk kam dëshiruar, nuk kam menduar për një pozicion i cili nuk ka asnjë kompetencë. Mua më pëlqejnë betejat. Unë jam kjo që jam, në beteja. Nuk më pëlqejnë pozicionet komode. Edhe kësaj radhe unë ika nga pozicioni komod i të qenit afër familjes, mgjithëse ishte një dashuri e madhe ajo që kam kaluar gjatë kësaj periudhe sepse kam pasur mundësinë të rrija më shumë me familjen time, për t’u hedhur në një betejë që është e vështirë por që ia vlen ta bësh sepse në fund të fundit, unë jam optimiste për atë çfarë do të ndodhë më 25 prill.
Ju ka ururar zoti Berisha për krijimin e forcës së re politike, lëvizjes së re në vend?
Unë kam një komunikim të vazhdueshëm me zotin Berisha, por jo për çështjen e iniciativave që janë në mendjen dhe në shpirtin tim prej kohësh.
Ka përgjegjësi zoti Berisha për atë se çfarë po ndodh sot në PD, duke qenë lideri historik i saj dhe në njëfarë mënyre, nuk është gjë e fshehtë nëse themi se zoti Basha ishte i preferuari i tij për të qenë në krye të asaj force politike?
Një njeri që ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, nuk mund të mbajë përgjegjësinë e pasuesit.
“Ky është një diversion që ai përdor përmes veglave të tij, për të krijuar idenë se kjo është një çështje personale. Këtu nuk ka asgjë personale. Është e gjitha një çështje ideore, është një çështje mendësie, parimesh dhe vlerash. Unë ndahem me këdo, nëse dikush nuk pranon votën, nuk pranon debatin, kartën morale të pushtetit moral me të cilin duhet të funksionojë një opozitë, nuk pranon të bëjë betejën kundër qeverisë me të gjitha forcat por bie në nivelin e pazareve dhe të interesave private e familjare. Nuk pranoj as kur një politikan ndjek vetëm politika personale. Këtu gjërat janë shumë të thjeshta për mua, por edhe krejt distant me pjesën tjetër. Kështu që përpjekja për ta kthyer në personale është shumë infantile në fakt, por edhe djallëzore”, tha Topalli
“Në fakt ka diskutime të ndryshme, mund të ishte bërë më herët, shumë më herët. Unë besoj se është koha tani. Sigurisht që do të jenë shqiptarët ata që do të bëjnë vlerësimin në momentin e caktuar, në fund të prillit. Një ndër arsyet përse nuk është krijuar më parë një lëvizje politike, është sepse unë kam dashur, me të gjithë forcën e shpirtit tim, që reformat të ndodhnin brenda forcave politike. Për sa kohë që ne vuajmë një krizë politike përveç krizave të tjera ekonomike, sociale, shëndetësore, morale, të përfaqësimit etj., por krizat që janë derivate të asaj që kriza themelore fillon nga forcat politike, unë kam dëshiruar, kam bërë ftesë, kam shkruar për nevojën dëshpëruese që kanë të gjitha forcat politike në Shqipëri, për t’u çliruar nga pengmarrja, për të rikthyer demokracinë brenda vetes, për të rikthyer debatin brenda vetes, për të kthyer kartën morale brenda vetes. Në momentin ku ne jemi, që s’ka më kohë për të humbur, do të doja që edhe në këto momente që po flasim bashkë, të kishim drejtues politikë të rinj dhe të pakorruptuar të këtyre forcave politike. Por me sa duket, ata janë peng i shumë problemeve që kanë brenda vetes në këto kohë politike, që nuk lëvizin dhe nuk i lëshojnë karriget e tyre politike. Dhe pikërisht, kjo lëvizje që besoj se do të kthehet edhe në një lëvizje politike, ka për qëllim ose në qenien e saj është një lëvizje proteste. Është protestë kundër vjedhjes, është protestë kundër korrupsionit, është protestë kundër varfërisë së shqiptarëve, është protestë kundër mbylljes së vendeve të punës, është protestë kundër tradhtisë ë kryetarëve të partive që nuk kanë punuar për interesin publik, por e kanë zëvendësuar atë me interesin privat”, tha Topalli.
Ndalur te prezantimi i saj, ajo është shprehur se të rinjtë që i janë bashkuar kësaj lëvizjese kanë qenë në një presion të jashtëzakonshëm.
“Mua nuk më bëjnë përshtypje presionet, nuk kanë funksionuar as përpara 20 vitesh, kur jetonim në një Shqipëri të destabilizuar. Sigurisht që tani pas 20 viteve ato nuk kanë asnjë efekt. Sigurisht që kisha keqardhje për të rinjtë që ishin nën një presion të jashtëzakonshëm, por ata e kanë treguar veten që kanë integritet dhe janë njerëz të lirë dhe liria është gjëja më e bukur që brezi juaj, që ka lindur pas viteve ’90, e ka pjesë të shpirtit të tij dhe të ndërgjegjes së tij. Dhe nuk ka as kërcënim dhe as presion që t’i frikësojë apo t’i detyrojë të rrinë të heshtur e të tërhequr, në mënyrë të veçantë, në kushtet kritike të vendit tonë, kur jeta ekonomike, por edhe jeta në tërësi e çdo shqiptari dhe e çdo familjeje shqiptare është e dëmtuar në mënyrë kritike, në balancat e demokracisë dhe në balancat e ekonomisë. Unë e kam përsëritur, por dua që ta përsëris edhe sot, që një vend, ku 40% e popullsisë jeton me më pak se 45 dollarë në ditë, është një vend në buzë të greminës. Ka vetëm dy variante dhe dy mundësi. E para, që do të ishte edhe më e keqja, se e keqja s’ka fund, që të shkojë në destabilizim. Dhe e dyta, që është e mundshme dhe që mund të bëhet, por edhe që është edhe më e thjeshta, që do të jepte një kthesë të madhe për një fillim të ri, është ajo e rrëzimit të të tre kryetarëve, të cilët mbajnë peng jetën politike të Shqipërisë. Dhe ftesa ime dhe kjo lëvizje, që është një lëvizje proteste kundër këtyre tre kryetarëve, është një mundësi për shqiptarët që më 25 prill të votojnë kundër tre kryetarëve, të çlirohen nga pengmarrja e tyre, të çlirohen nga fakti ose nga realiteti ku ekonomia është e dominuar prej tyre, konsiderohet një ndërmarrje ekonomike e tyre dhe që jeta, bankat, mundësia, punësimet etj., të përcaktohen nga këta tre kryetarë. Kështu që në këtë aspekt, duke qenë një lëvizje proteste, unë besoj se përcjell protestën e çdo shqiptari që ndoshta s’ka mundësinë që të ketë hapësira publike dhe hapësira mediatike, por që thotë ato që ndien në shpirt, ankthin dhe stresin e tyre për jetën dhe për fëmijët e tyre”, tha Topalli