Nga Carlo Bollino
Pra ish-deputeti Clirim Gjata është gjallë dhe ekziston! Emri i tij mbiu në këto orë mes emrave të demokratëve në garë për të hyrë në listën e kandidatëve të Tiranës. Për mua është një lajm i mirë, por është mbi të gjitha për gjykatësen Manjola Xhaxho të gjykatës së Tiranës që po e kërkon pa rezultat prej një viti e gjysëm.
Nëse Clirim Gjata nuk do të ishte edhe kreu i departamentit të Drejtësisë së Partisë Demokratike që pretendon të udhëheqë vendin, kjo që po ju tregoj do të ishte vetëm një histori qesharake. Por duke konsideruar funksionin politik si dhe profesionin (e supozuar) të avokatit, mënyra se si Clirim Gjata tallet me drejtësinë e bën këtë histori dramatike. Imazhi perfekt se si partia kryesore e ish-qeveritarëve dhe eksponetëve të saj më të lartë, vazhdon të baltosë drejtësinë, edhe tani që pretendojnë aspirojnë të rikthehen në qeveri.
Dhe në këtë pikë Clirim Gjata tenton rrugën e tretë: arratinë. Pikërisht kështu. Kreu i departamentit të drejtësisë në Partinë Demokratike nuk gjendet, i padukshëm, fantazëm. Gjykata e ftoi të paraqitej duke ia dërguar thirrjen në adresën e shtëpisë që e kisha shënuar në padi (Rruga Ali Demi,pallati 72, shk. 3, ap. 26), por të gjithë aty u betuan se nuk e njihnin. Atëherë avokati im Gavrosh Andoni i dha gjykatës dy adresa të tjera që Clirim Gjata deklaronte se zhvillonte detyrën e avokatit (Njesia Bashkiake nr.7, rruga Hajdar Hidri, pallati ”Pienvis”, ap.24-25), por edhe në këtë adresë politikani i njohur rezultonte i panjohur. Kulmi ishte kur thirrja iu nis nga gjykata edhe në selinë e Partisë Demokratike në Bulevardin Zhan D’Ark, i vetmi vend që Gjata frekuenton pa asnjë dyshim, por edhe këtu përgjigja nuk ndryshoi: Nuk e njohim! Asnjë përgjigje as nga emaili i tij zyrtar (gj*********@ya***.com), as nga numri i tij cellular (0692065902) dhe nga zyra në PD (04 227 6910) që ai e reklamon edhe në faqen e tij zyrtare në facebook që numëron 2479 like (!!) shifër qesharake për një politikan, por që atij mund t’i duket një rekord.
Clirim Gjata është i panjohur edhe për Sigurimet Shoqërore, sepse mesa duket nuk merr as rrogë, ose të paktën një rrogë zyrtare: pra Clirim Gjata ose paguhet në të zezë si çdo punëtor i mjerë te Ushtari i Panjohur, ose jeton me lemosha. Dhe këtu hapet një tjetër kapitull që meriton një thellim: cili është burimi i të ardhurave të Clirim Gjatës meqë edhe një avokat qe punon privatisht duhet të presë fatura dhe duhet të paguajë sigurime shoqërore për veten dhe për të punësuar nëse ka?
Pas shumë muajsh kërkimesh pa asnjë rezultat, duke konstatuar se Clirim Gjata është një fantazëm, me 19 qershor 2020 gjykatësja Manjola Xhaxho vendosi më në fund të vazhdojë gjykimin “me shpallje”, siç bëhet me të kërkuarit ose me barbonët pa një strehë fikse: pra informohet i hetuari se ka një proces në ngarkim të tij duke ia publikuar emrin te dera e gjykatës. Në këtë rast gjykatësja vendosi që njoftimi do të afishohej edhe “pranë selisë së PDsë, në web, në adresë, në njësinë administrative si dhe në adresën e tij email. Gjithashtu t’i dergohet shkrese DRSSH Tirane ku t’i kerkohet te paraqesë informacion nese per te paditurin Clirim Gjata ka te dhena dhe në sigurimet shoqerore”.
Por nga ky moment e tutje është zhdukur edhe gjykatësja e cila nuk ka thirrur më asnjë seancë, dhe as, nga sa rezulton, nuk zbatoi vendimin e saj për të proceduar me “shpallje” ndaj politikanit të mirënjohur. Procesi për shpifje është ndërkohë i ngrirë ndoshta në pritje që Clirim Gjata të dalë në mënyrë vullnetare nga klandestiniteti i tij i qetë. Klandestinitet që nuk e ka penguar partinë demokratike ta propozojë si kandidat për deputet.
Ajo çka e bën këtë histori dramatike në vend të komike janë të paktën dy aspekte:
I pari është qëndrimi i gjykatëses e cila duket e terrorizuar të procedojë në mënyrë të vendosur ndaj Clirim Gjatës, pikërisht siç i ndodh shumë kolegëve të saj sa herë duhet të gjykojnë një pjesëtar të klanit të PD-së, pra njerëz të lidhur me Berishën, Argitën & Co. Kjo është akoma më e habitshme për Manjola Xhaxhon, e çertifikuar nga vetting si gjykatëse e ndershme pra e rikonfirmuar në vendin e saj me vulën e “drejtësisë së re”. Nëse funksionon kështu “drejtësia e re”, imagjinojmë e vjetra! Nëse është e terrorizuar për një proces për shpifje, si do të sillej ndaj një krimi më të rëndë duke pasur në dorë një peshk të madh të Pd-së si të paditur?
Manjola Xhaxho jeton e blinduar në katin e pestë të gjykatës me një roje të dedikuar dhe refuzon të takojë çdo avokat që nuk është i seancës së radhës. Në këtë mënyrë derisa nuk thërret seancën, është e lirë të mos shpjegojë edhe arsyet e shtyerjes. E terrorizuar të deklarojë Clirim Gjatën “të kërkuar” me shpallje, zonja shmang t’i përgjigjet edhe letrave të avokatit tim që i kërkon sqarime mbi këtë heshtjen e saj misterioze. Hera e fundit që i ka shkruar, është 23 shtatori i këtij viti: Letra drejtuar gjykatëses Manjola Xhaxho pa asnjë përgjigje.
Aspekti i dytë, po aq e rëndë, i takon Clirim Gjatës dhe partisë së tij. Si ia bën një personazh që fshihet nga drejtësia, të përfaqësojë departamentin e drejtësisë në partinë që pretendon të arrijë të qeverisë vendin? Clirim Gjata prezantohet mes miqve dhe të afërmëve si një ministër i ardhshëm i drejtësisë, gjë që e bën figurën e tij të sikletshme edhe për partinë e vet. Një aspirant ministër (dhe deputet) i kërkuar “me shpallje” nuk ishte parë kurrë më parë.
Kur bëra padi për shpifje edhe kundër Sali Berishës, ish-kryeministër të paktën dërgoi në sallën e drejtësisë avokatët e tij edhe pse me një teori të qesharake mbrojtjeje: “Unë jam Sali Berisha dhe nuk duhet të tregoj asnjë provë për të konfirmuar akuzat e mia”, u përgjigjën në sallë. Dhe në fakt gjykatësi e dënoi. Clirim Gjata duhet të ketë kuptuar se strategjia e shefit të tij nuk funksionon dhe kështu,p ër të shpëtuar nga dënimi, preferon të fshihet duke mos pasur edhe ai asnjë provë për të treguar.
Kjo sjellje shpjegon më shumë se një mijë fjalë se në ç’mënyrë partia demokratike e koncepton të vërtetën dhe drejtësinë. Mënyra në të cilën Clirim Gjata dhe shumë njerëz të partisë së tij jetojnë, është ajo që e vetmja mënyrë për të bërë politikë është gënjeshtra dhe nëse drejtësia u kërkon llogari për veprimet, thjeshtë fshihen. E ka bërë Berisha prej vitesh, e bëri Basha në procesin për Rrugën e Kombit, e bën edhe Clirim Gjata nga ana e tij. Sa më takon, mund të vazhdoj të pres akoma, sepse fshehja e tij nga procesi, tani si kurrë më parë, është prova e qartë e fajit të tij.
Ps: Në pritje që gjykatësja Manjola Xhaxho të gjejë kurajon për të proceduar zyrtarisht “me shpallje” ndaj ish-deputetit Clirim Gjata siç ajo vetë vendosi të bëjë 4 muaj më parë, ne, këtë “shpallje” sado jo zyrtare, tashmë e bëmë. Pra, kush e lexon këtë shkrim ta lajmërojë z. Gjata: Gjykata e kërkon! Dhe kur ta gjejnë, të mos dale e të thotë se nuk e dinte!
Ngri padi per gjykatesen Manjola Xhaxho.Kaq.