Teknologjia ka gjithmonë rëndësi në ndjekjen penale të krimeve të luftës. Nazistët që u gjykuan në Nuremberg u dënuan jo vetëm nga fotografitë dhe filmat e reporterëve të luftës, por edhe nga makinat e shkrimit dhe shaptilografët e tyre. Shkenca mjeko-ligjore dhe imazhet satelitore ndihmuan ndjekjen penale të kriminelëve të luftës së Ruandës dhe Jugosllavisë. Në gusht Salim Jamil Ayyash u dënua në mungesë nga Tribunali Special për Libanin për rolin e tij në një bombë më 2005-n, që vrau 22 njerëz në Bejrut, mes tyre Rafik Hariri, ish-kryeministri i vendit. Z. Ayyash u identifikua për herë të parë nga analiza algoritmike e të dhënave të telefonit celular.
Mediat sociale hapin një kufi të ri në hetime të tilla. Në vitin 2016, një gjykatë në Frankfurt dënoi një shtetas gjerman për krime lufte pasi fotografitë u postuan në Facebook, ku ai pozonte me kokat e prera të luftëtarëve të armikut, ë ngulura shtyllat metalike në Siri. Por firmat e mediave sociale janë në një pozicion të ndërlikuar. Ata janë nën presion për të mbrojtur përdoruesit nga përmbajtja e tmerrshme dhe propaganda ekstremiste dhe ngulmues për të qëndruar në anën e mirë të qeverive. Kjo i çon ata të miratojnë politika të rrepta për moderimin e përmbajtjes. Por politikat e tyre kanë çuar gjithashtu në humbjen e provave të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Si rezultat, mund të humbasin mundësitë për të sjellë autorët e mizorive të tmerrshme para drejtësisë.
Nuk është e vështirë të shohësh pse hetuesit gjithnjë e më shumë u janë drejtuar mediave sociale për të mbledhur prova. Zonat e konfliktit janë të vështira dhe të rrezikshme për t’u vizituar. Raportet e dëshmitarëve okularë janë të gabueshme dhe mund të manipulohen. Mbledhja e informacionit në distancë i lejon hetuesit të vërtetojnë provat ose të gjenerojnë informacione të reja. Luftëtarët që mburren për shfrytëzimet e tyre në Facebook mund të japin padashje vendndodhjen e tyre nga meta-të-dhënat në foto, pika referimi në sfond apo edhe moti. E njëjta mburrje mund t’u japë prokurorëve prova të qëllimit, një element i domosdoshëm i një ndjekjeje penale të suksesshme.
Provat e krijuara nga përdoruesit janë veçanërisht të dobishme për organet ndërkombëtare si Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) që nuk kanë domosdoshmërisht aftësinë për të shërbyer thirrjet ose urdhrat e kërkimit, ose fonde të mjaftueshme për të kryer një hetim të plotë. Në vitin 2017, ICC ishte në gjendje të lëshonte një urdhër arresti – e para e bazuar në provat e mediave sociale – për Mahmoud al-Werfalli, një komandant në Brigadën Al-Saiqa (një njësi e vetëquajtur e Ushtrisë Kombëtare Libiane të kontrolluar nga Khalifa Haftar, një komandant lufte nga Lindja e vendit të ndarë) për përfshirjen e tij në vrasjen e 33 personave.
Sidoqoftë, prova të tilla mund të mos jenë të përsosura. Ata që i regjistrojnë në terren shpesh nuk kanë përvojë profesionale në mbledhjen e provave, mund të jenë selektivë në atë që filmojnë dhe ta vendosin veten në rrezik jashtëzakonisht të madh. Provat mund të atribuohen keq, të vihen në skenë ose të manipulohen – një shqetësim në rritje duke pasur parasysh rritjen e falsifikimeve të thella, klipeve audio dhe video shumë të besueshme, por të pavërteta, të krijuara duke përdorur të mësuarit makinerik. Kalimi nëpër masën e provave të mundshme të ngarkuara vazhdimisht kërkon kohë dhe burime. Kjo do të thotë, nëse nuk shkatërrohet përpara se hetuesit ta përdorin atë. Një raport i ri nga Human Rights Watch, një grup advokimi me seli në Nju Jork, pretendon se platformat e mediave sociale po fshijnë provat e mizorive nga interneti. Dhe përdorimi i tij në gjykatë është i ri, kështu që ka pak precedent se çfarë gjyqtarët do të pranojnë dhe çfarë peshe do t’i japin. Por, përkundër këtyre problemeve, kontributet e gjeneruara nga përdoruesit mund të sigurojnë materiale, përndryshe të padisponueshme, për të arritur standardin e artë për hetimet e krimeve të luftës: triadën e provave fizike, dokumentare dhe dëshmuese.
Merrni shembullin e Bellingcat, një faqe e gazetarisë hulumtuese që përdori materiale në internet për të zbuluar përfshirjen e brigadës së 53-të të mbrojtjes ajrore ruse në rrëzimin e fluturimit të Malaysia Airlines,MH17, mbi Ukrainën lindore, më 2014-n. Kur u kërkua nga prokurorët për të siguruar këto prova, ajo zbuloi se pjesa më e madhe e saj, e strehuar në Facebook, Twitter, YouTube dhe VKontakte, një faqe ruse e mediave sociale, ishte hequr. Ajo kërkoi me ngulm internetin për kopje alternative, duke kontribuar në një ndjekje penale në mungesë, të tre rusëve dhe një ukrainasi, në mars të këtij viti, në Holandë. Por fshirja fillestare rrezikoi hetimin.
Fshirje të tilla janë të zakonshme. Arkivi Sirian, një grup jofitimprurës që regjistron dhe analizon provat e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Siri, vlerëson se nga gati 1.75 milion video në YouTube që kishte arkivuar deri në qershor 2020, 21% nuk janë më të disponueshme. Pothuajse 12% e 1 milion apo më shumë tweet-eve që regjistruan, janë zhdukur. Sikur Arkivi Sirian të mos kishte mbledhur kopje, këto prova mund të ishin humbur përgjithmonë. Human Rights Watch rishikoi lidhjet me provat e mediave sociale që përdoren në raportet publike midis 2007 dhe 2020, shumica e botuar në pesë vitet e fundit dhe zbuloi se 11% e burimeve që kishte cituar si prova të shkeljeve të të drejtave të njeriut ishin zhdukur .
Disa nga këto janë për shkak se përdoruesit e heqin vetë përmbajtjen. Por shumë është rezultat i politikave të platformave. Megjithëse ata heqin përmbajtje të tmerrshme për arsye të mira – videot e prerjeve të kokave dhe propagandës ekstremiste nuk janë ato që Twitter do të thotë me “shikoni se çfarë po ndodh në botë tani” – metodat e tyre janë kryesisht të vetë-rregulluara dhe shpesh injorojnë vlerën provuese të përmbajtjes. Ata janë gjithashtu të zellshëm nga dëshira për të qëndruar në anët e mira të qeverive, nga frika se mos heqja e përmbajtjes ofenduese, ose ekstreme mund të çojë në ligje më të rrepta. Dhe ata janë thumbuar më parë – Facebook u vu nën vëzhgim pasi iu desh mbi një vit për të hequr materialin e postuar nga forcat e armatosura të Mianmarit për të nxitur zemërimin gjenocid kundër Rohinga-ve, më 2017.
Në atë rast, Facebook ruajti pjesën më të madhe të përmbajtjes që kishte hequr, por nuk ua bëri të lehtë hetuesve, që ta shtinin në dorë. Gambia ka sjellë një çështje kundër Mianmarit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në emër të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, një grup prej 57 shtetesh kryesisht myslimane. Por çështja është vonuar pasi Gambia përpiqet të bindë një gjykatë amerikane të detyrojë Facebook-un të lëshojë përmbajtjen në mënyrë që të mund të përdoret si provë.
Është e paqartë saktësisht se çfarë ndodh me përmbajtjen që hiqet nga platformat. Shpesh ruhet për një kohë, megjithëse kjo ndryshon me kushtet e shërbimit të platformave dhe kufizimet ligjore. Por sapo të hiqet, hetuesit kanë vështirësi të fitojnë qasje në të. Dhe kërkesat ligjore në lidhje me mbajtjen e të dhënave mund të çojnë në fshirjen e përhershme.
Ndërsa përdorimi i algoritmeve për të hequr përmbajtjet ofenduese është rritur, problemi i provave të humbura është përkeqësuar. Në verën e vitit 2017 qindra mijëra video nga Siria u morën nga YouTube nga një algoritëm i ri, në pamundësi për të bërë dallimin midis materialit të postuar nga ISIS dhe atij nga aktivistët e të drejtave të njeriut. Pas disa reagimeve negative, YouTube riktheu shumë nga videot. Fillimisht, krerët e ndërmarrjeve të mediave sociale u kapën të papërgatitura, pasi nuk kishin imagjinuar kurrë që platformat e tyre do të përdoreshin për qëllime të tilla. Tani ata kanë pak justifikim. Siç thotë një menaxher i produkteve të Google, Siria është “konflikti i parë në YouTube”.
Gjithnjë e më shumë, kompanitë e mediave sociale po përdorin algoritme që heqin përmbajtjen para se ajo të arrijë në publik. Një video që mund të shihet sjell një sërë komentesh, edhe nëse më vonë fshihet. Këto mund t’u japin një dorë hetuesve të krijojnë rrjetin e njerëzve të përfshirë në një incident, sipas Alexa Koenig, nga Qendra për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kalifornisë, Shkolla e Drejtësisë e Berkeley-t, duke ndihmuar “për të skicuar kush, çfarë, ku, kur, pse dhe si ”. Por postimet e marra përpara botimit nuk lënë gjurmë publike. Nga përmbajtja që Facebook hoqi për dhunimin e udhëzimeve të saj të komunitetit midis janarit dhe marsit 2020, 93% u shënua nga sistemet automatike, jo nga moderatorët njerëzorë. Prej tyre, gjysma u hoq para se t’i shihte ndonjë përdorues.
Kompanitë e mediave sociale janë përpjekur ta zbusin problemin vetë. Në dhjetor 2016 Facebook, Microsoft, Twitter dhe YouTube themeluan Forumin Global të Internetit Kundër Terrorizmit (GIFCT), një bazë të dhënash të përbashkëta, ku përmbajtja terroriste shënohet me një “hash” unik që faqet e tjera mund ta gjurmojnë. Që nga korriku i vitit 2020 ai kishte mbi 300,000 hashe. Por një hash nuk çon në heqjen automatike të përmbajtjes. Ky vendim mbetet me platforma individuale dhe pak dihet se si ata i përgjigjen përmbajtjes në GIFCT. Grupe të shumta për të drejtat e njeriut janë ankuar për mungesën e transparencës. Është gjithashtu e paqartë se sa efektiv është sistemi: nëse përmbajtja redaktohet – shpejtësia ndryshon, gjatësia ndryshohet – ajo mund të anashkalojë filtrat.
Një zgjidhje më e mirë do të ishte që platformat të ruanin përmbajtjen e fshirë që mund të ketë vlerë provuese – ose ta kalojnë atë në një arkiv të pavarur, ose te disa. Ky informacion duhet të jetë i arritshëm vetëm për ata me një interes të ligjshëm, argumenton zonja Koenig. Një organ i pavarur jo vetëm që do të ruante provat e mundshme por gjithashtu do të ndihmonte në verifikimin e tyre dhe do të ndihmonte në sigurimin që ato të mblidhen dhe të ruhen në mënyrë të tillë që, të rrisin mundësinë që ai të pranohet në gjykatë dhe t’i jepet peshë si provë, duke respektuar edhe shqetësimet e privatësisë. Platformat e mediave sociale duhet të jenë të kujdesshme kur ndajnë të dhënat e përdoruesve normalë në mënyrë që të mos shkelin statutet e privatësisë, ose t’u shkaktojnë dëm përdoruesve. Kur ata përdorues kanë filmuar një njësi të ushtrisë lokale të përfshirë në një masakër, të themi, rreziqet janë shumë më të mëdha.
Puna paraprake tashmë është bërë. Ekspertët janë në proces të analizimit të modeleve të mundshme dhe hartimit të protokolleve ndërkombëtare për të përmirësuar mënyrën e mbledhjes dhe verifikimit të provave, në mënyrë që ato të jenë të dobishme në ndjekje penale. Por ruajtja e provave të mundshme do të kërkojë, mbi të gjitha, një angazhim për ta bërë këtë nga ata që janë përgjegjës për platformat e mediave sociale.
Në raportin e tij përfundimtar mbi gjykimet e Nurembergut, Telford Taylor, këshilltari kryesor i prokurorisë, u mrekullua nga sasia e provave dokumentare të krijuara nga një “prirje teutonike për të bërë shënime të hollësishme të ngjarjeve dhe bisedave” dhe të vëna në dispozicion vetëm nga “shpejtësia dhe plotësia e kolapsit përfundimtar ushtarak të Gjermanisë ”. Sikur nazistët të kishin më shumë kohë, mbase ata mund të kishin fshirë provat e veprimeve të tyre të këqija. Mediat sociale prodhojnë shumë më shumë prova se sa kanë bërë ndonjëherë nazistët. Por gjithashtu mund t’i shkatërrojnë ato me shpejtësi të rrufeshme.(The Economist, SI)