Këshilli i Ministrave ka vendosur në mbledhjen e sotme të lirojë nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Robert Lili, duke ja besuar këtë detyrë Bledar Skënderit.
Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Bujqësisë, ku ministri Bledi Çuçi thekson se Skënderi do të punojë me përkushtim dhe do të çojë përpara procesin e ristrukturimit të AKU.
“Në mbledhjen e sotme të qeverisë është marrë vendim për lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, z. Robert Lili.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z.Bledi Çuçi e falënderon për kontributin e deritanishëm dhe punën e lavdërueshme të bërë në drejtimin e AKU-së, procesin e nisur të reformimit dhe shndërrimit të AKU-së në një njësi inteligjente. Z.Lili do të vijojë angazhimin profesional brenda strukturave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Po sot, me vendim të Këshillit të Ministrave është emëruar drejtori i ri i këtij institucioni, z.Bledar Skënderi. Shprehim besimin se ai do të punojë me përkushtim dhe do të çojë përpara procesin e ristrukturimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit i nisur nga paraardhësi i tij, si dhe do të adresojë si duhet të gjitha sfidat dhe problematikat që lidhen me sigurinë ushqimore në vend”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.
/e.rr