Në vitin 2021 rrezikojmë që të mos shohim banane në tryezat tona, paralajmërojnë ekspertët. Gjithçka për shkak të shpërthimit të fundit të vullkanit Sangay, i cili mbuloi me hi plantacionet në Ekuador, një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të këtij fruti tropikal.
Mbi 55 mijë hektarë banane u mbuluan nga hiri vullkanik, shkruan El Comercio. Provincat e Guayas dhe Los Rios janë më të goditurat. Duke mbajtur parasysh që vetëm prodhimi i kësaj zone është rreth 25-30% e të gjithë eksportit global të bananes, katastrofa përllogaritet kolosale.
Sipas vlerësimeve të bëra në ditët e fundit, mbi një milion e gjysmë arka banane janë tani aktualisht të pashitshme, për shkak të mbulimit nga hiri i lëshuar nga vullkani Sangay, të dielën e 20 shtatorit, shkruan noa.al.
Juan José Pons, koordinator i konsorciumit të prodhuesve dhe eksportuesve të bananeve, shpjegoi për gazetën El Comercio se “Rënia e hirit ndërpret procesin e pjekjes së bananes”.
Prandaj vlerësohet një humbje e të paktën një të tretës së prodhimit. Kjo do të thotë që eksporti i bananeve nga Ekuadori, do të pësojë një rënie drastike në muajt e ardhshëm.
g.kosovari