Intensiteti i luftimeve mes Armenisë dhe Azerbajxhanit ka vijuar edhe në ditën e katërt të luftimeve, çka tregon se fundi i përballjes ushtarake nuk është i afërt.
Armenia publikoi pamje të një avioni ushtarak të këtij vendi, që sipas autoriteteve në Jerevan u godit nga avionët turq F-16. Nëse kjo do të ishte e vërtetë do të nënkuptonte zgjerim të konfliktit në shkallë rajonale me përfshirjen e një fuqie të madhe të NATO-s duke zgjeruar përmasat e kësaj lufte.
Megjithatë, zyrtarët e partisë së presidentit turk Rexhep Taip Erdogan e mohuan kategorikisht përfshirjen e forcave ajrore turke, pavarësisht se mbështet palën azere në këtë konflikt. Ushtria e Azerbajxhanit përdori dronët për të bombarduar pozicionet armene.
Presidenti francez Emanuel Makron kritikoi Turqinë për mbështetjen që po u jep aleatëve azerë, duke e konsideruar si retorikë luftënxitëse. Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi armëpushim të menjëhershëm.