Naftëtarët e Ballshit janë në ditën e dytë të grevës së urisë, pasi kwrkojnw marrjen e pagave e tyre të prapambetura. Ata shprehen se nuk do të tërhiqet deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Njëri nga përfaqësuesit e naftëtarëve ka deklaruar se krerët e sindikatave kanë vjedhur dhe nuk u kanë kushtuar rëndësi problemeve të tyre.
Njëri nga grevistët është shprehur se duan të punojnë dhe të marrin lekët e djersës së tyre. Ai tha se naftëtarët e pranishëm në grevë kanë probleme të ndryshme shëndetësore, por asnjë mjek nuk është paraqitur për t’i kontrolluar.
“Kemi hapur kërkesat tona, duam kërkesat tona, duam bukë duam të hamë, të fillojmë uzinën. Kemi edhe një vendim gjyqi që kemi fituar lekët. O të na japin ato, o të mbyllin uzinën. Këto duam ne. Përsa i përket grevës së parë unë desh ika e lashë jetën këtu, deri në këto momente që flasim asnjë mjek nuk ka ardhur, vetëm ju gazetarët. Jemi disa që vuajmë nga sëmundje, isha dhe herën e parë desh lashë fëmijët rrugëve, por asnjë nuk erdhi. Ne vetëm këto dy kërkesa kemi, rifillimi i punës dhe lekët që kemi fituar”, thotë një nga grevistët.
Më tej, një nga naftëtarët i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të vërë zemrën në dorë, pasi kanë mbetur në mes të rrugës. Ata nuk kërkojnë asgjë më shumë përveç se pagat për të cilat kanë punuar vetë.
“Ne jemi futur në këtë grevë të detyruar, sepse kemi bërë udhëtimin tonë që në Tiranë për të marrë pagat e prapambetura. Duam të na jepen 2 vitet që nuk jemi paguar dhe ne të shikojmë hallin tonë. Në qoftë se ai ka nevojë për ne që ta riparojë uzinën, të na marrë dhe jemi në gjendje, jemi specialistë për ta ndryshuar këtë uzinë. Jemi të vendosur që nga kjo grevë nuk do dalim pa marrë një përgjigje dhe i lutemi kryeministrit Edi Rama që të vërë dorën në zemër për këtë Mallakastër, për këtë uzinë, se na ka lënë në mes të rrugës. Prandaj e bëj këtë thirrje hapur në këtë media që të marrin masat sa më përpara se jemi edhe në gjendje shëndetësore shumë të keqe. Deri tani nuk kemi asnjë lloj reagimi, as nga qeveria as nga ministria dhe nga ato dy dikastere ne presim përgjigje. Jemi të vendosur deri në fund, të plotësohen kërkesat tona të bazuara në ligj“, tha një tjetër naftëtar.
g.kosovari