Efektet e ndryshimeve klimaterike janë kthyer në kërcënim serioz jo vetëm për vendet e industrializuara globale, por edhe Shqipërinë.
Vendi ynë ka nisur marrjen e një sërë masave për përballimin e këtyre ndryshimeve, që në vendin tonë kërcënojnë kryesisht në formën e përmbytjeve.
Paneli i diskutimit me titull: “Masat e marra nga Shqipëria për ndryshimet klimatike: Sa ambicioze duhet të jenë?” mblodhi së bashku deputetë, ekspertë në fushën e ndryshimeve klimatike, përfaqësues të qeverisjes vendore, organizata të shoqërisë civile të cilat punojnë në fushën e mjedisit, median dhe akademikë. Aktiviteti u zhvillua në javën që i paraprin Samitit për Ndryshimet Klimatike, i njohur ndryshe edhe si Konferenca e 21-të e Palëve (COP21) që do të mbahet në Paris nga data 30 nëntor deri më 11 dhjetor.
Diskutimet u fokusuan në efektet e ndryshimeve klimatike me të cilat po përballet Shqipëria dhe në “Planin Kombëtar të Veprimit të Shqipërisë për Ndryshimet Klimatike” paraqitur në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. Plani ka si synim të reduktojë emetimet e gazeve me efekt serrë me 11,5% krahasuar me skenarin bazë. Diskutimet u fokusuan në planin në vetvete, sa ambicioz është ai dhe hapësirat për veprime të mëtejshme.
Shqipëria po përballet me efektet e ndryshimeve klimatike në forma të ndryshme, duke përfshirë përmbytjet. Në kuadrin e kërcënimeve aktuale dhe të ardhshme, pjesëmarrësit diskutuan rreth llojeve të masave të nevojshme për përshtatje. Gjithashtu, pjesëmarrësit sollën në vëmendje rolin e komunitetit të biznesit kur bëhet fjalë për masat zbutëse ndaj ndryshimeve klimatike.
Veprimet ndaj ndryshimeve klimatike nuk janë vetëm një detyrë e qeverisë. Bizneset në të gjithë botën po përfshihen në plane novatore për të reduktuar emetimet e gazeve me efekt serrë, për të prezantuar masa të efiçencës së energjisë dhe të energjisë së rinovueshme, si dhe për të gjetur një mënyrë prodhimi më të qëndrueshme. E njëjta gjë vlen edhe për individët, të cilët po ndryshojnë sjelljen e tyre me qëllim që të konsumojnë në një mënyrë më të qëndrueshme. E gjitha kjo përshtatet më së miri me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të miratuara shtatorin e kaluar, të cilat përfshijnë një axhendë ambicioze për të ndihmuar në formësimin e së ardhmes që njerëzit duan. Në të njëjtën kohë, ekziston një nevojë urgjente për veprime të mëtejshme për të parandaluar rritjen e temperaturës globale me më shumë se 2 gradë celsius.
Diskutimet në panel kishin gjithashtu si synim të informonin publikun shqiptar në vend rreth efekteve të ndryshimeve klimatike dhe masave që duhen marrë për t’i zbutur efektet.
Aktiviteti u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mjedisit në partneritet me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, Delegacionin e Bashkimit Evropian dhe Ambasadën e Francës në Shqipëri.
Rreth Konferencës së 21-të të Palëve në Paris
Reagimi politik në nivel ndërkombëtar ndaj ndryshimeve klimatike filloi në Samitin e Tokës në Rio në vitin 1992, në të cilin “Konventa e Rio-s” përfshiu miratimin e Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (KKKBNK). Kjo konventë parashikonte krijimin e një kuadri për veprim të cilat synonin stabilizimin e përqendrimeve në atmosferë të gazeve me efekte serrë (GES) për të shmangur “interferencën e rrezikshme të antropogjenëve me sistemin klimatik”. KKKBNK-ja, e cila hyri në fuqi më 21 mars 1994, ka tashmë një anëtarësim pothuajse universal me 195 shtete palë.
Objektivi kryesor i Konferencës vjetore të Palëve (COP) është shqyrtimi i zbatimit të konventës. Konferenca e parë e Palëve u zhvillua në Berlin në vitin 1995 dhe takimet e rëndësishme që prej asaj kohe përfshijnë COP3 në të cilin u miratua Protokolli i Kiotos, COP11 ku u hartua Plani i Veprimit i Montrealit, COP15 në Kopenhagë, ku fatkeqësisht nuk u arrit marrëveshje për të pasuar Protokollin e Kiotos, dhe COP17 në Durban në të cilin u krijua Fondi për Klimë Ekologjike.
COP21 e vitit 2015, e njohur edhe si Samiti i Klimës në Paris 2015, do të synojë për herë të parë pas 20 vitesh negociata në Kombet e Bashkuara, që të arrijë një marrëveshje universale dhe ligjërisht të detyrueshme për klimën, me qëllim ruajtjen e ngrohjes globale në nën 2°C. Më shumë se 150 shtete kanë dërguar planet e tyre kombëtare të veprimit, të njohura gjithashtu edhe si Kontribute Kombëtare të Pikësynuara (INDC).
COP21 do të jetë një nga konferencat më të mëdha ndërkombëtare të mbajtura ndonjëherë në Francë. Konferenca pritet të tërheqë rreth 50 000 pjesëmarrës, duke përfshirë 25 000 të dërguar zyrtarë nga qeveritë, organizatat ndërqeveritare, agjencitë e OKB-së, OJQ-të dhe shoqëria civile. Pjesëmarrës në emër të Shqipërisë parashikohet të jenë Kryeministri z. Edi Rama dhe Ministri i Mjedisit z. Lefter Koka, si edhe një grup negociues i përbërë nga nëpunës civilë.