Partia Demokratike do të nisë të premten konsultimet me anëtarësinë për listën e kandidatëve për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e 25 Prillit.
Do të jetë qarku i Kukësit që do hapë siparin e seleksionimit të kandidatëve, proces që në gjithë vendin do të përfundojë brenda datës 11 Tetor.
Deri më tani në selinë blu, Komisioni për Verifikimin e Kandidatëve që do t’i përcillen anëtarësisë, ka përmbyllur katër qarqe; atë të Kukësit, Gjirokastrës, Beratit dhe Dibrës. Burime për Televizionin Klan thonë se i gjithë procesi i filtrimit të emrave nga 5 anëtarët e Komisionit do të përmbyllet brenda javës.
Sipas një urdhri të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, lista e kandidatëve që i nënshtrohen procesit të konsultimit duhet të shpallet jo më vonë se 24 orë përpara ditës së votimit, proces që do të nisë në orën 10 e do të mbyllet në orën 18:00.
Për votim, bazës së Partisë Demokratike pritet t’i çohen 300 kandidatë dhe do të jetë anëtarësia ajo që do të përzgjedhë se cilin nga personat nuk do të ketë në listën që më pas do t’i përcillet për votim final kryesisë së kësaj force politike.
Sakaq, edhe ish-të përndjekurit politik, i kanë paraqitur Partisë Demokratike një listë me 24 kandidatë për deputetë në 12 qarqe, mes të cilëve bie në sy në qarkun e Dibrës edhe emri i Besim Ndregjonit, Kryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë.
Po në udhëzimin e miratuar në muajin Qershor thuhet qartazi se kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia duhet të përbëjnë 80% të listës së propozimeve, ndërsa jo më shumë se 20% e listës do të përzgjidhen nga Kryesia e Partisë Demokratike, si prurje nga bota akademike, ish-të përndjekur, pronarë, nga diaspora apo personalitete politike.
/a.r