Nga Alba Malltezi
Në gjithë këto vite të Partisë Socialiste në pushtet ka qenë shumë e vështirë të ngrije në piedestal një shembull frymëzimi opozitar. Një orator, analist, politikan që me logjikën e tij/saj të rendisë qartë, thjeshtë, me kuptimin dhe bukurinë e fjalës e fjalisë mendimin dhe argumentin opozitar.
Gati 100 përqind e “të rreshtuarve” bëjnë artikulime të frymëzuara nga gjuha e vrazhdë, agresive, e pisët; nga shpifjet e fabrikuara e të hedhura kastile për konsumim nga “babai” i PD-së, sot gjyshi i politikës, Sali Berisha: ndyrësirë, qelbësirë, orgji, kërmë, lëtyrë, vrasës, narkotrafikant, drogaxhi, hajdut… janë fjalët më të përdorura prej tyre.
Sali Berisha, një mjek i djallëzuar zemre e di mirë se materiali i servirur si ushqim për njerëz që mendojnë nga mesi e poshtë, pra me instikte, u ngjall frikën kundërshtarëve politikë. Prandaj, duke nisur që me shkrimet anonime në RD-në e viteve ’90 e deri më sot sa ishte në Kuvend, nëpër media e rrjete sociale, u ofron militantëve dhe të ngjashmëve çorbën që e kanë dëshirë ta mbllaçisin e ta përshtyjnë edhe më fort se ai.
Duke përzier 2 të vërteta me 89 gënjeshtra gjella “Sali” është gati për të gjithë. Për të kuptuar se sa funksionon gjuha e frikës dhe e shpifjes mjafton të shohësh flirtimet e shumë eksponetëve të qeverisë së majtë me bizneset e kastës së PD-së. Kontibute të vazhdueshme e të shumanshme për të “shpëtuar” nga linçimet. “Aman Sali na lër të qetë!”
Sidomos Partia Demokratike, më e karakterizuara për përdorimin e një diskursi politik jashtë çdo parametri etik dhe estetik, ka nevojë urgjente të ketë modele që mund ta çojnë në një rrugë të mbarë. Meqë është edhe një parti që nuk dëgjon këshilla qe kur i thuhej se po veprohej gabim me braktisjen e institucioneve, dhunën në protesta, shpifjet dhe linçimet, atëherë të hedhë sytë brenda vetes e të marrë frymëzimin nga djem e vajza shqiptare që kanë haptazi qëndrim opozitar ndaj lidershipit aktual të qeverisjes së vendit.
Në të vërtetë shembujt nuk janë të shumtë, por ka. Janë vajza dhe djem që opozitarizmin e kanë të bazuar në një logjikë që ushqehet nga argumentet, bindjet që rrjedhin prej tyre dhe fakteve dhe jo prej kokës së Saliut, Bashës e të tjerëve.
Ka vajza dhe djem që shkruajnë e flasin ndryshe; ndryshe nga armata e analistëve, gazetarëve, politikanëve pro ish-qeveritarë, që s’ditën më shumë se të prodhonin “Babalen”, apo të sulmonin egër dhe me insistim Carlo Bolinon, apo Ben Blushin, Mero Bazen duke treguar se më shumë se çdo gjë tjetër ua kanë frikë logjikën dhe seriozitetin e argumentit.
Dhe vazhdojnë të mos pranojnë dhe të mos lejojnë asnjë opinion kundër, edhe pse liri nuk është vetëm të sulmosh qeveritarë, por edhe të kritikosh e të shkruash e thuash të vërtetën për ish-qeveritarë që po përpiqen me çdo kusht dhe formë ta rimarrin pushtetin.
Nuk do t’i përmend me emra këta djem e vajza nostalgjikë për regjimin e PD-së ose LSI-së , është punë e tyre, shije e tyre, e drejtë e tyre; por ama dinë të flasin e të shkruajnë bukur në rrjet. Nëse do t’ua përmendja emrat, militantët e egërsuar do t’i linçonin si ka ndodhur më parë, sapo dikush do t’i lavdëronte në një media tradicionale.
Do të viheshin në shënjestër dhe kushedi ç’intrigë do të mendohej e thurur nga mendjet që ecin vetëm të përpëlitura nën rrjetat e radhës. Njerëzit i lexojnë, i shohin, i njohin, i pëlqejnë. PD e vrazhdë dhe e vjetër në lajthitjet fjalëkeqe të “liderit plak”, mund të mësonte vërtetë diçka prej tyre. Kështu të ndryshonte e të shpëtonte nga ferri ku jeton e kërcënon një vend të tërë.(shqiptarja.com)