Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, në përpjekje për të bërë të pazbatueshme ndryshimet Kushtetuese në fuqi po kërkojnë të zvarrisin procesin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor duke kërkuar opinion nga ODIHR.
Duket paradoksal ky qëndrim i opozitës jashtëparlamentare. Mjafton të kujtohet qëndrimi i tyre refuzues deri në arrogancë ndaj të gjitha opinioneve të dhëna deri më tani nga ODIHR.
Opinioni i parë ishte ai për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Ekspertët për çështjet ligjore dhe zgjedhore të ODIHR, sugjeruan zyrtarisht që teknologjia të pilotohet në më pak se 20% të qendrave të votimit, për ta zgjeruar më pas në mënyrë graduale përdorimin e saj. Kjo për të shmangur rrezikun që një dështim të mundshëm të teknologjisë ditën e zgjedhjeve, që mund të pamundësojë vetë procesin zgjedhor.
PD-LSI refuzuan plotësisht këtë opinion duke insistuar se nëse nuk ndodh identifikimi biometrik në 100% të qendrave të votimit ata do të braktisin tryezën e negociatave. Ndodhur në këtë situatë, mazhoranca dhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë vendosën të mbyllin sytë para rekomandimeve të ODIHR për të kënaqur kërkesat e PD-LSI.
Rekomandimi kyç i të gjitha raporteve të ODIHR ishte depolitizimi i administratës zgjedhore. PD-LSI insistoi në ruajtjen e skemës politike të komisioneve në konflikt me atë çka kërkonte ODIHR. Partia Socialiste propozoi marrjen e një opinioni nga ODIHR për se si e sheh propozimin e PD-LSI për ruajtjen e skemës politike të komisionerëve. Kjo hasi në kundërshtimin deri në braktisje të tryezës nga ana e PD-LSI. Në këto kushte, PS dhe ambasadorët u detyruan të pranojnë sakrifikimin e rekomandimit kyç të ODIHR vetëm për të kënaqur kërkesat e opozitës jashtëparlamentare.
Opinioni i tretë ishte ai i kuotave gjinore ku sërish PD-LSI mbajti qëndrim insistues kundër asaj çka rekomandonte ODIHR. Sërish Partia Socialiste u detyrua të pranonte të sakrifikonte rekomandimet për të kënaqur dëshirat e PD-LSI.
A mund ta marrë dikush seriozisht këtë opozitë sot, kur pasi ka refuzuar me arrogancë 3 opinione që kishin të bënin me rekomandime kyçe të ODIHR, kërkon të dërgojë pyetje për zbatimin apo jo të Kushtetutës?! E gjitha kjo në një kohë kur ODIHR në praktikën e punës nuk jep opinione për çështje të cilat nuk janë në listën e rekomandimeve të tyre, përfshirë ndryshime Kushtetuese apo çështjet e sistemeve zgjedhore. Këtë fakt e konfirmon më së miri edhe prononcimi për media i djeshëm nga ODIHR që thotë se janë të gatshëm të japin opinione mbi rekomandimet e tyre. Hapja e listave, ndryshimet kushtetuese dhe as format e koalicioneve nuk janë rekomandime të ODIHR.
Partia Socialiste ndërkaq e ka theksuar se koalicionet parazgjedhore do të strukturohen me lista unike ashtu sikurse i ka çdo vend i OSBE/ODIHR që zbaton sistem proporcional me lista të hapura.
PS ka garantuar se produkti që do të dalë pas diskutimeve për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor do të dërgohet gjithësesi në ODIHR për vlerësim.
/Lexo.al/ a.r