Deputeti i opozitës së re, Enver Roshi është rikthyer në Parlamenti pasi fitoi “betejën” me koronavirusin.
Enver Roshi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë ishte ndër të parët që kaloi një gjendje të vështirë shëndetësore si pasojë e COVID dhe u dërgua për kura të specializuara jashtë vendit.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti Roshi duke i shprehur mirënjohjen kolegëve dhe qytetarëve për mbështetjen që i dhanë, tha se kaloi një situatë kritike shëndetësore.
Ai u bëri apel qytetarëve që të ndërgjegjësohen për tu kujdesur për veten dhe të marrin fatin e tyre në dorë, pasi po kalojmë në një situatë kur virozat e stinës dhe COVID-19 po “bashkëjetojnë”.
Duke lidhur përhapjen e koronavirusit me ndryshimet klimaterike, deputeti i opozitës parlamentare u shpreh se gjatë dimrit situate do të jetë më e vështirë për shqiptarët pasi do qëndrojnë në ambiente të mbyllura, ndërsa bëri thirrje që politika të jetë në një zë.
“Të nderuar kolegë, mjeku më rekomandoi të prisja ulur por unë në respekt të mirënjohjes për ju, për mbështetjen që më dhatë për situatën kritike shëndetësore që kalova ngrihem këtu për të shprehur mirënjohjen time për angazhimin që më dhatë, kurajën, motivimin për të jetuar.
Jam i emocionuar se kalova një situatë të rëndë shëndetësore. Jo vetëm ju, mjekëve, personelit shëndetësor. Dua ti shpreh mirënjohjen qytetarëve të Shqipërisë që me mesazhet e tyre më kanë inkurajuar për t’i shërbyer atyre. Dhe unë iu premtoj se do të jem një qytetar i denjë i gjithë shqiptarëve kudo që janë.
Kjo situatë e COVID ka të bëjë edhe me ndryshimin e klimës, sepse ndryshimi I klimës, prishja e ekuilibrit të natyrës prej mijëra vitesh cenon sot rëndë jetën e njerëzve në vendin tonë dhe kudo në botë.
Po kalojmë në stinën e virozave dhe bashkë me virozat është edhe COVID, prania e këtyre të dyjave, jetesa në ambiente të mbyllura në stinën e dimrit e bën më emergjente për shqiptarët që të bëhen më të ndërgjegjshëm dhe të marrin në dorë fatet e tyre.
Politika duhet të jetë në një zë në shërbim të qytetarëve dhe të dëgjojnë këshillat e mjekëve. Ndërgjegjësimi kalon tek qytetarët,”– tha deputeti Roshi.
g.kosovari