Agron Gjekmarkaj shkruan se Lulzim Basha është e vetmja shpresë për vendin.
Për këtë arsye, në një shkrim për Panorama, ai thotë se duhet ta ndihmojmë të gjithë të vijë në pushtet.
Shkrimi i Gjekmarkajt
Lulzim Basha po hyn në stinën më vendimtare të jetës së tij politike. Pas shtatë vitesh e kusur opozitë, ai ka nevojën personale, por edhe obligimin moral ndaj shoqërisë të fitojë zgjedhjet e pranverës së vitit 2021. Një gjë është e qartë, përtej simpative apo urrejtjeve që e rrethojnë: fitorja e tij ndal perspektivën e instalimit të një regjimi me tipare të theksuara mafioze, humbja triumfin e tij afatgjatë. Asnjëherë si kësaj radhe, fitorja apo humbja e njërës palë lidhet kaq ngushtë në këta 30 vjet me natyrën e sistemit politik dhe po kaq me iluzionet dhe shpresat e shoqërisë erozioni dhe dorëzimi i së cilës të fut frikën. Vështirë të ndërtosh një krahasim mes kësaj opozite dhe atyre të mëparshmeve në raport me agresionin dhe diversionin që është përballur, paçka se kohërat e kaluara bartnin shenja epizmi. Pushtetet në vendin tonë kanë pasur kurba të larta deliri dhe abuzimi, pavarësisht në ka qeverisur e djathta apo e majta. Si ky që kemi qysh nga viti 2013 jo, nuk kemi njohur të tillë.
Në fjalimin e kurorëzimit të Edi Ramës, me krenari prezantoi strategjinë e dhunës verbale e reale mbi opozitën dhe kundërshtarët. Nuk zhgënjeu aspak në këtë zotim. Jo vetëm nëpërmjet gazit lotsjellës, aty qe më i ndershëm. Individët me të shkuar kriminale u veshën me imunitet politik, të tjerë me atë ekonomik, sidomos me projektin e kanabizimit të vendit, i cili vazhdon ende, koncesionet për klientët personalë u shndërruan në të vetmen doktrinë ekonomike, mujsharit me rilindjen urbane dhe me aktin më antiurban që ishte shembja e Teatrit Kombëtar, duke njohur si kulm politik zgjedhjet moniste të 30 qershorit 2019 në karakteristika themelore.
Më keq se konstatimi, është perceptimi mbi korrupsionin dhe kapjen kapilare të institucioneve shtetërore. Por Edi Rama, me një aftësi të admirueshme, përtej shumë dështimeve të bujshme shpesh ia ka dalë ta mbajë debatin hapur në oborrin e opozitës. Brenda dialektikës politike është e vetëkuptueshme që këtë ta bëjë me mbështetësit apo mediat pranë tij, por përtej kësaj ka pasur një ndihmë nga “mohësit” gradualë të PD-së dhe Bashës. Ata, ndonëse e kishin të drejtën me vete në vitin 2017 kur i larguan befasisht, nuk ia dolën kurrë ta tejkalonin dhimbjen personale dhe doradorës, të joshur nga interesa të dukshme e të padukshme, përfunduan në “shtratin” e qeverisë.
Sa më shumë rritet konsumimi, drama ekonomike, zhgënjimi për menaxhimin e tërmetit dhe pandemisë, përbuzja ndaj zhganit dhe flotës përfituese, aq më shumë “mohësit” shtojnë kriticizmin ndaj Bashës, duke vënë shenjën e barazimit ndërmjet atij që ka në dorë gjithçka dhe atij që s’ka asgjë. Jo vetëm te ky grup, por edhe më gjerë vihet re që mungesa e kurajës, e forcës për t’u përballur me qeverinë u jep frustrim, prej nga aktivizohet fabula “kur s’ke ç’i bën gomarit, i bie samarit”.
Riaktivizimi i tyre frenetik, pa e kuptuar bëhet dëshmi e shqetësimit në rritje të Edi Ramës për humbjen e pushtetit, e cila duket e paevitueshme.
PD ka pasur dikur një rast kur në ditët e saj më të rënda, një grup me në krye Genc Pollon, i pasuar nga Tritan Shehu, Nard Ndoka, Ferdinant Xhaferri, Enno Bozdo, Kreshnik Çollaku e të tjerë, formuan PD(r), e cila u akuzua se po përdorej nga pushteti i Fatos Nanos si opozitë e opozitës, por në betejën finale të vitit 2005, ata u bënë pjesë e bashkimit dhe faktor në fitore. Nuk po ndodh e njëjta gjë, nuk po shfaqet e njëjta vetëdije te të larguarit e vitit 2017, si tek ata që formuan parti, si tek ata që janë persona politikë të painkuadruar. Një nga sfidat e para të kësaj vjeshte për Lulzim Bashën mbetet tentativa për t’i thirrur të gjithë si grupime politike apo qoftë edhe emra të përveçëm.
Duhet një thirrje e fundit, e vërtetë dhe ezauruese për t’i nxjerrë nga “moteli” i qeverisë, ku përfunduan jo të gjithë për arsye rrethanash. Kjo thirrje nevojitet më shumë për një etikë të re sesa për numrat, që duket se opozitës së bashkuar nuk i mungojnë. Shoqëria e mirëpret reflektimin dhe ngjarjet që ai prodhon. E vërteta rri në mes, duhet guxim për të shkuar drejt kësaj pike. E djathta duhet të kompaktësohet pa asnjë paragjykim dhe sa më shpejt, duke ia lënë të kaluarën historisë me vullnetin për të ndërtuar një histori të re për të ardhmen.
Procesi që ka filluar PD-ja për të seleksionuar kandidaturat për deputetë nëpërmjet një komisioni me autoritet vendimmarrës është një risi absolute në terrenin e politikes shqiptare. Në vetvete është një ushtrim i parë i demokracisë që meriton respekt, në kohën kur të gjithë kërkojmë rregulla e cilësi brenda partive politike.
Produkti që ata do të nxjerrin me siguri do të jetë i paqortueshëm , normal, i rregullt, pa lidhje me krimin dhe CV të mirë, por të gjitha ato propozime janë nga baza e Partisë Demokratike. Basha ka nevojë t’i hedhë sytë pak më gjerë, teksa këqyr horizontin e pushtetit. Atij i duhen edhe personazhe e personalitete që negociojnë me pjesën gri të elektoratit, një kombinim emrash elitarë nga brenda e jashtë vendit, një “organizatë” e re ndërmjetësuese që iu flet grupeve, shtresave dhe individëve me gjuhën që ata pranojnë.
Elektorati duhet të marrë mesazhin që nuk janë 30 vetë në rrethe e po kaq në Tiranë, që si koracë e paçarë përfitojnë nga pushteti i PD-së, që nuk janë gjithmonë të njëjtët, drejtorë, kryetarë bashkish, deputetë, ministra, sikur rreth tyre të ketë vetëm shkretëtirë. Qytetarët duhet ta ndiejnë që kjo parti di të bëjë katarsis. Ideja që përfaqësimi nuk pëson kurrë mutacion dhe përfituesit janë gjithmonë një grup që demotivon me shumicë! Duhet prerë kjo lidhje ombelikale pa dëbuar askënd. Në rrafshin praktik, pas tensionimeve të shumta që çonin drejt zgjidhjeve revolucionare plot të panjohura, Basha mbeti me spirancën te ndryshimi me votë.
Ai e shmangu jo pa mundim larjen e hesapeve me Edi Ramën nëpërmjet rrugës, megjithëse u kritikua nga analistë vendës, por u mirëprit nga ndërkombëtarët. Gjithsesi, këta u përdhunuan nga Rama me ndryshimet kushtetuese, duke ulur përtokë kredibilitetin e tyre. Në këtë kontekst, ata zor të bëhen garant e arbitra seriozë për ndeshjen politike që na pret. Në këtë rrugëtim gati dyvjeçar është krijuar një energji dhe një vetëdije në kampin opozitar, e cila nuk e dimë ende si do të materializohet në ruajtjen e zgjedhjeve të vitit 2021. Dosjet “184” dhe “339” po merren në konsideratë nga SPAKu, por jo politikanët e përfshirë në to. Vjeshta kërkon një strategji transparente për ruajtjen e votës nga vjedhja. Trysnia mbi administratën po shtohet, u kërkohet “like” e “share” për aktivitetet e qeverisë, si dhe presion për bërje votash. Ndonëse kjo në vetvete shndërrohet në bumerang si për PD-në në vitin 2013.
Pos programit që duhet të jetë konkret dhe i prekshëm, Basha ka nevojë për ndihmë nga partitë e koalicionit.
E para LSI-ja, e cila duhet ta prishë traditën e deputetëve që dalin nga “kopshti me drekë”, duke investuar më shumë te politikanë me profil intelektual, si Edmond Panariti apo qytetarë si Klajda Gjosha e Ardit Çela me të tjerë, që kjo forcë i ka. Po kaq, edhe më të vegjlit duhet ta peshojnë vetëkonsumimin ndër vite. Njerëzit kanë halle, po nuk janë budallenj, kanë shqisa të forta gjykimi. Duhet më shumë kurajë e më pak egoizëm. Ky është viti i opozitës dhe fitores së saj, e cila pranohet nga logjika, por rrezikohet nga rastësitë kriminale. Populli po sheh nga Lulzim Basha, si i vetmi simbol i mbetur në fushë për të ndalur vendosjen përfundimtare të një regjimi autoritarist. Ai duhet të dijë t’ia kthejë shikimin. Duhet të bëjë gjithçka nga e mundura tek e pamundura, nga e njohura tek e panjohura, nga surpriza te guximi, çdo muaj të mbetur, çdo javë, ditë dhe orë.
Ore Gjekmarkaj REALLY??? Mire mbreti qe doli lakuriq dhe se mori vesh i shkreti po ata qe mblodhen gjithe dynjane ku i paten syte?
O zot na bere me vjell
Thirrja e ketij servili politik eshte per te qeshur .Te ishte ndonje lider i opozites i ri ,pa te kaluar te piset me padi panale i afte dhe energjik ,populli dhe mund ta perkrahte ,por Luli dihet ,dhe nuk ngjall as besim dhe as shpres or Agron