Raportimi i qytetarëve në Polici, çon në pranga dy të rinj që shpërndanin lëndë narkotike në doza të vogla. Në operacionin “Tuneli”, mbi bazën e informacioneve të marra nga qytetarët, se dy të rinj po merreshin me shitjen e lëndës narkotike në doza të vogla në blloqe mes pallatesh, policia arrestoi në flagrancë shtetasit R.Gj., 24 vjeç dhe I.P., 24 vjeç., të dy banues në Tiranë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë në rrugën “Frosina Plaku”, në hapsiren midis nje blloku pallatesh, e cila quhet si zona e “Tunelit”, kanë konstatuar dy personat e lartpërmendur të cilët në bashkëpunim me njeri-tjetrin, po shisnin lëndë narkotike në doza të vogla.
Pas kontrollit, në vendin ku u konstatuan këta shtetas, shërbimet e Policisë kanë gjetur 80 doza me lëndë të dyshuar cannabis sativa, si dhe shumën prej 62.000 lekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 aparate celular.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.