Në kampin Al-Hol që organizata terroriste YPG/PKK e mban nën kontrollin e saj në rajonin Al-Hasakah të Sirisë, në javën e fundit 8 fëmijë nën moshën 5 vjeçe kanë humbur jetën për arsye që burojnë nga uria (kequshqyerja) dhe humbja e lëngjeve (dehidratimi).
Drejtoresha ekzekutive e Fondit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), Henrietta Fore në një deklaratë me shkrim lidhur me çështjen tha se “UNICEF ka shqetësime të thella nga raportimet se në një periudhë më të shkurtër se një javë kanë humbur jetën 8 fëmijë nën moshën 5 vjeçe në kampin Al-Hol në verilindje të Sirisë”.
Ajo theksoi se vdekjet në kamp kanë ndodhur në datat 6-10 gusht, ku 4 prej këtyre lidhur me komplikime të lidhura me ushqyerje të pamjaftueshme ndërsa të tjerat nga diarreja, pamjaftueshmëri e zemrës, hemorragji e brendshme dhe hipolglicemi (niveli i ulët i sheqerit në gjak) të shkaktuara nga mungesa e lëngjeve.
“Vdekja e çdo fëmije është tragjike. Kjo është edhe më tragjike në vdekjet e parandalueshme”, tha Fore duke shtuar se në kampin Al-Hol vazhdojnë të dobësohen më shumë se 40 mijë fëmijë nga rreth 60 vende.
Fore tërhoqi vëmendjen se civilët në kamp krahas temperaturave të larta të verës janë të detyruar të luftojnë edhe me traumën e dhunës dhe shpërnguljes.
Më tej Fore njoftoi se kufizimet dhe masat e karantinës të vendosura në kamp për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) e bëjnë edhe më kritike situatën dhe se shërbimet shëndetësore në kamp duhet të rifillojnë përsëri.
Ajo informoi se pavarësisht të gjitha kufizimeve UNICEF dhe aleatët e tij do të vazhdojnë aktivitetet e ndihmës humanitare në kamp.
Ndërkohë ashtu sikurse edhe zyrtarët e tjerët të OKB-së, ka tërhequr vëmendjen se edhe drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Fore nuk ka bërë ndonjë thirrje ose nuk ka përmendur emrin e organizatës terroriste YPG/PKK e cila ka okupuar kampin.
– Kampi Al-Hol
YPG/PKK në kampin që ngriti në prill të vitit 2017 në komunën Hol, krahas civilëve që u larguan nga konfliktet me organizatën terroriste DEASH në Deri ez-Zor mban edhe disa prej anëtarëve të DEASH-it dhe familjarët e tyre që janë dorëzuar.
Në kampin nën kontrollin e organizatës civilët jetojnë në kushte çnjerëzore.
Lavamanët dhe kabinat e dushit jo higjienike, çadrat e grisura, ushqimet e skaduara, mos sigurimi i ilaçeve për të sëmurët me sëmundje kronike dhe mos mirëmbajtja e të sëmurëve janë ndër problemet më kryesore në kamp.
Al-Hol, i njohur ndryshe si “kampi i ferrit” u bë i njohur për publikun shqiptar pas historisë së vogëlushit Alvin Berisha. Historia e 11-vjeçarit, i cili qëndroi për plot 5 vite në Siri preku zemrat jo vetëm të shqiptarëve, por edhe më gjerë e sidomos në shtetin fqinj të Italisë.
Në moshën 6-vjeçare, saktësisht në dhjetor të 2014-ës, Alvin Berisha shkoi drejt Sirisë me të ëmën që zgjodhi t’i bashkohej ISIS-it. Nëna e tij, e lindur në Durrës në vitin 1982 kishte emigruar në Itali, ku edhe ra pre e propagandës fetare radikale islamike. Alvin, mbeti i plagosur gjatë një atentati me bombë në Siri, në të cilin humbi jetën nëna e tij.
/e.rr