Kryeministri i Libanit, Hassan Diab ka njoftuar të hënën për dorëheqjen e qeverisë së tij, pas shpërthimit të 4 gushtit në Bejrut që ka nxitur zemërim të publikut dhe protesta masive.
Përmes një adresimi televiziv, Diab ka thënë të hënën se po bën “një hap mbrapa”, në mënyrë që të jetë afër njerëzve dhe të “luftojë për betejën për ndryshim afër tyre”.
“Unë e shpall sot dorëheqjen e kësaj qeverie. Lus Zotin që ta mbrojë Libanin”, ka thënë ai, duke përsëritur këtë shprehje tri herë, transmeton agjencia e lajmeve, AP.
Largimi i tij ka ardhur pas protestave kundër qeverisë që janë mbajtur përgjatë fundjavës, meqë numri i viktimave si pasojë e shpërthimit në Liban, ka arritur në mbi 200, derisa mbi 6,000 persona tjerë janë plagosur.
Diab ka fajësuar politikanët e korruptuar që kanë qenë në pushtet para tij për “tërmetin” që ka goditur Libanin.
“Ajo klasë politike duhet të turpërohet për shkak të korrupsionit që ka rezultuar me këtë shkatërrim, i cili është fshehur për shtatë vjet”, ka shtuar ai.
/e.rr