Socialistët nuk mundën të përmbushnin të gjitha ambiciet që i kishin vënë vetes si synim për mbylljen e sesionit parlamentar.
Një ndër nismat e qeverisë që u lançua po në kulmin e pandemisë, nga vetë kreu i qeverisë, ishte dhe ajo për legalizimin e kanabisit mjekësor.
Nga zhurma e madhe e reagimeve që pasoi deklarata publike e kryeministrit, kur tha se po punohej me ekspertë vendas e të huaj prej afro një viti, dritën e diellit nuk ka parë ende asnjë draft zyrtar. “Ka një grup pune që po merret me këtë gjë, kur të vijë në tavolina, natyrisht që mund të them më tepër”, tha zv.kryeministri Erion Braçe.
Një tjetër nismë e qeverisë, ishte edhe amnistia fiskale, por ndryshe nga kanabisi mjekësor, drafti u diskutua në Kuvend, por të detyruar nga reagimet e forta të institucioneve vendase dhe organizmave ndërkombëtarë, socialistët morën më shumë kohë për ta riparë.
“Ka një draft që ka kaluar në qeveri dhe që ka shkuar në parlament”, tregon Braçe. “Natyrisht është një nismë e rëndësishme, afërmendsh që do të sulmohet. Amnistia u adresohet një fashe shumë të gjerë njerëzish, por nuk ka asnjë cedim në këtë histori. Është shumë mirë që kjo periudhë i jep më shumë kohë faktorëve që të shprehen për të”.
Prej vitesh opozita akuzon për thellim të borxhit publik. Situatën e pranon edhe zv/kryeministri, por gjithçka e lidh me periudhën e fatkeqësive natyrore që goditen Shqipërinë. Braçe mbron nismat e ekzekutivit për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. “Pse unë e komandova pandeminë të vijë në fund të mandatit. Nuk e doja fare, se isha shumë mirë deri në fund të vitit që shkoi pavarësisht tërmetit”, thotë Braçe. I pyetur sa do të shkojë borxhi publik i Shqipërisë, Braçe përgjigjet: “Me aktin e fundit normativ do të shkojë 80,04% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar”.
Pandemia nuk ka ndikuar vetëm te punët e qeverisë socialiste, por edhe të partisë. Të paktën ky është argumenti i forcës kryesore politike në vend, e cila nuk po arrin të zgjedhë kryesinë dhe sekretariatin nga asambleja e re, e cila u zgjodh 10 ditë para se pandemia e koronavirusit në Shqipëri të konfirmohej zyrtarisht.
/e.rr