Shërbimet e Policisë Kufitare në Himarë kanë arritur të shpëtojnë 3 persona që po mbyteshin në det, ndërsa një grua rezulton akoma e humbur.
Rezulton se tre nga shtetasit që ndodheshin në të njëjtën varkë që po mbytej ishin anëtarë të një familje.
Ngjarja ka ndodhur, pasi një stuhi ka goditur bregdetin shqiptar. Një nga të shpëtuarit Fatjon Resulaj ka rrëfyer për News 24 momentet e ferrit.
“U nisa në 6.00 sot nga Moli i Himarës. Ishte fillimisht koha e mirë, ndërsa për 10 minuta u bë ciklon me shi dhe përmbysi varkën. Ne e pamë nga larg dhe ishte vonë. Ishim katër vetë. Ishte shoku im së bashku me djalin dhe nusen e tij. Zonja është e humbur dhe vazhdojnë kërkimet.
Pasi u përmbys anija, ne u mbajtëm tek anija fort. Djali u përpoq që të shpëtojë nënën, edhe ne, por situata ishte e rëndë shumë. Kemi bërë 5 kilometra rrugë dhe donim që ta shpëtonim, por ishte shumë e vështirë, mund të na rrëmbente rryma edhe neve”, tha i mbijetuari Resulaj.
g.kosovari