Nga Artur Ajazi
Ish-ministri i Doktorit , ndër emrat më të përfolur në qeverisjet e Partisë Demokratike, njeriu që kur ishte në pushtet është akuzuar për shkelje të shumta ligjore, apo dhe “armiku” kryesor i kryetarit aktual të asaj partie, së fundi është caktuar ( dhe dihet me propozim të kujt) si vlerësuesi kryesor në Komisionin e Vlerësimit të kandidaturave për deputet për zgjedhjet e vitit 2021.
Ai do të “nasqerisë” emrat e ardhur nga degët, do të shikojë me lupë (dhe jo me syzet 4 mijë euro që mban) çdo “propozim” të ri të degëve të Partisë Demokratike, dhe do ti vërë vulën “fitores së madhe”. Nga ana e tij, shefi i madh zoti Basha, nuk ka munguar të shpallë me bujë (si çdo vit) shtatorin si “muaji i fushatës dhe fitores së demokratëve”. Ai ka patur një takim pune me pesë emrat e paracaktuar të Komisionit të Vlerësimit, nga ku i ka siguruar ata se “fitorja e këtyre zgjedhjeve do të jetë më e thella në histori”.
Nuk e di, seç mu kujtua Doktori, kur edhe para fushatave, por edhe gjatë tyre, deklaronte të njëjtat gjëra “fushatë madhështore, fitore historike”, etj. Por të njëjtën gjë ish-ministri i Doktorit bëri edhe pas mbledhjes me zotin Basha nga shkallët e SHQUP-it, nga ku ka deklaruar se “unë vërtetë kam qenë kritik i Lulzimit, por ai ka bërë përpara, kësaj here fitorja jonë do të jetë historike”. Ish-ministri dukej tepër optimist dhe tepër largpamës, tek jepte deklarata dashurie mes tij dhe Lulzimit, ndryshe nga ç’deklaronte para 2-3 vitesh për kryetarin e partisë.
Ata tani janë bërë miq, janë siç thotë populli janë “mjaltë e qumësht”, ata tani po shkëmbejnë “ide dhe mendime të vyera rreth pushtetit të ardhshëm”, dhe nisur nga kjo, ish-ministri po i jep zotit Basha, eksperiencën e tij. kaq mjafton të dëgjosh nga goja e një ish-ministri të një qeverisje të dështuar, dhe të mendosh dhe kuptosh fillin e çdo veprimi dhe deklarate që vjen nga SHQUP-i. Ata i marrin dhe i dine shqiptarët për dele dhe budallenj, ata i konsiderojnë shqiptarët “humbameno”, njerës pa kujtesë dhe pa nivel.
Por gabojnë. Shqiptarët nuk e kanë harruar as 1992-1996, dhe as 1997, dhe aq më keq as qeverisjen e mbrapshtë të 2005-2013, të një partie që rikthen ish-ministrat dhe ish-presidentët e saj në 2021, për të “vlerësuar sipas kritereve” emrat e rinj për deputetë. Mjafton të shikojnë dhe dëgjojnë shqiptarët, ata ish-ministra dhe ish-kryetarë shteti, që siç na deklaron zoti Basha “paskan në dorë fatin e emrave të rinj dhe fitoren e PD”, dhe të bindesh përgjithmonë se, Edi Rama do të fitojë jo mandatin e tretë, por edhe dy të tjera pas tij.
Të paracaktosh ish-ministrat e Doktorit të “nasqerisin” emrat dhe listat në PD-në e sotme, është sikur të marrësh nga shtëpia sot, ish-byroistët e PPSH (ata që janë gjallë) dhe ti kërkosh parashikimin mbi “fatin dhe zgjedhjet e reja”. Të matesh me një parti që ka afro 1 milion vota, që ka një potencial të madh elitash intelektuale në veprim, dhe që ka transformuar nga themelet vendin, të deklarosh se “do të korrim fitoren më të thellë” kur nuk të ka mbetur as gjysma e votuesve që ke patur nga 2013, do të thotë kurajo e madhe, dhe mbi të gjitha përgjegjësi e madhe politike. Ndoshta kësaj here, fatura e humbjes, i kalon lehtësisht ish-ministrave dhe ish-presidentit, duke e lënë “të pastër” sërish Lulzim Bashës.