Autoritetet e shtetit austriak pas një hetimi të gjatë, kanë zbuluar se si një kompani e udhëtimit përmes dy autobusëve ka realizuar rreth 1 mijë e 737 udhëtime në relacionin Kosovë-Austri përgjatë viteve 2014/2015 në përkrahje të një mashtrimi që rreth 1000 kosovarë kanë kryer ndaj shtetit austriak.
Këto udhëtime ishin realizuar në bashkëpunim me rreth mbi 1000 kosovarë të cilët tashmë është zbuluar se e kanë mashtruar shtetin austriak duke përfituar përkrahje financiare në mënyrë të jashtëligjshme.
Pas disa intervistimeve të kryera dhe një skanimi të agjencive të sigurimeve shoqërore, është zbuluar se këta persona ishin të regjistruar në Austri si të pa punë dhe kishin përfituar financiarisht apo edhe kishin marrë përkrahje financiare edhe për familjet e tyre, derisa shumicën e kohës ata nuk kanë qëndruar në Austri, por vetëm janë regjistruar për të marrë përfitimet financiare.
Siç thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Austrisë, ka qenë shumë e vështirë të zbulohet një mashtrim i tillë afatgjatë, pasi që disa persona kanë qenë të regjistruar në një adresë të njëjtë banimi.
Në momentin kur janë realizuar kontrolle nga Zyrat e Punësimit në Austri, personat në fjalë janë lajmëruar nga dikush dhe kanë udhëtuar menjëherë nga Kosova për në Austri.
Për më shumë, këta persona kishin bërë edhe regjistrime të falsifikuara të sigurimit shëndetësor në Austri dhe se kontrollet shëndetësore ua ka mbuluar shteti austriak.
Në mesin e personave të dyshuar janë edhe drejtuesit e autobusit të cilët është zbuluar se gjithashtu ishin regjistruar si të papunë edhe pse kishin marrë pagat për udhëtimet që kishin realizuar.
Për më tepër janë duke u hetuar edhe familjarët e drejtuesve të autobusëve të cilën kanë abuzuar me përfitimet sociale.
Me rastin është duke u marrë prokurori publik i Styrias në Graz të Austrisë.
“Vlen të hedhim një vështrim. Nëse duam ta mbajmë të paprekur sistemin tonë social në një afat të gjatë, ai gjithashtu duhet të mbrohet më mirë nga mashtrimi”, tha Ministri i Brendshëm Karl Nehammer me rastin e zbulimit të një mashtrimi të madh të shërbimit shoqëror nga qytetarët kosovarë në Styria.
Lidhur me rastin ka folur edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Austrisë, Karl Nehammer.
“Nëse duam ta mbajmë të paprekur sistemin tonë shoqëror në periudhë afatgjate, duhet që ta mbrojmë shumë më mirë nga mashtrimet”, ka thënë ai.
Nehammer është shprehur i lumtur për zbulimin e rastit pasi tashmë thotë se po kursehen paratë e taksapaguesve të Austrisë dhe se janë parandaluar pagesat të mëtejshme.
“Falënderimet e mia shkojnë për të gjithë ata që ishin të përfshirë në hetimin e këtyre krimeve.”, ka thënë ai.
Ministri austriak gjithashtu ka thënë se “përfitimet sociale përdoren ata të cilët kanë nevojë për përkrahjen e shtetit”.
“Sidoqoftë, ka njerëz që duan të marrin përfitime pa të drejtë dhe të dobësojnë sistemin shoqëror dhe ekonominë – ne duhet të veprojmë në përputhje me rrethanat dhe të zbatojmë sanksione.”, ka përfunduar Karl Nehammer.