Kreu i Ballit Kombëtar, deputeti Adriatik Alimadhi i cili u prek nga koronavirusi dhe u desh të kalonte shumë ditë në spital, këtë të enjte në seancën e fundit plenare është parë i shkujdesur, duke mos e vendosur maskën.
Kjo ka tërhequr vëmendjen e deputetëve të tjerë dhe ministrave, të cilët e kanë kritikuar për këtë gjest, ndërkohë që udhëzimi i ministrisë së Shëndetësisë e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e saj në ambiente të mbyllura.
Kritikat vijnë në një moment që edhe tre deputetë të Kuvendit kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
Por Alimadhi u bind sot ta vendoste maskën pasi kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i tërhoqi vëmendjen dhe i tha se fakti që ai ishte shëruar nga Covid-19, nuk donte të thoshte që të preken të tjerët.
“Respektoni masën, vendosni maskën, nëse ju e kaluat kjo s’do të thotë që të dëmtohemi ne të tjerët. Ne të kemi ururar me gjithë shpirt urim të shpejtë e jemi interesuar për gjithë ato ditë e ato vuajtje që kalove, tani…”, tha Ruçi, gjë që u pasua me reflektim të deputetit Alimadhi.
g.kosovari