Tre vite ka zgjatur karriera e Bardhyl Kollçakut në krye të Forcave të Armatosura, ndërkohë që sot ai është zëvendësuar nga Bajram Begaj.
Presidenti Ilir Meta ka dekretuar sot emërimin e Gjeneral major Bajram Rushit Begajt si Shef të Shtabit të Përgjithshëm të FA në Shqipëri.
Kujtojmë se më 3 korrik Meta e gradoi me titullin Gjeneral major, komandantin Bajram Begajn, kurse sot do të jetë Shef i Shtabit të FA, detyrë që më parë e mbante Bardhyl Kollçaku.
NJOFTIMI NGA PRESIDENCA
29 korrik 2020
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta dekretoi sot emërimin e Gjeneral Major Bajram Rushit Begaj, Shef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Gjeneral Major Bajram Begaj mbante detyrën e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Kush është Gjeneral Major Bajram Begaj
Gjeneral Major Bajram Begaj, ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998.
Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer:
“Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen”, në Shqipëri;
“Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë”, në Shqipëri;
“Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji”, në Shqipëri;
“Kursin e menaxhimit spitalor” dhe “Kursin e lidershipit mjekësor strategjik”, në SHBA;
“Specializimin në fushën e mjekësisë” dhe “Kursin e Shëndetësisë”, në Greqi.
Gjeneral Major Bajram Rushit Begaj, ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.
Ai ka kryer detyra të ndryshme si:
Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes,
Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT,
Drejtor i Spitalit Ushtarak,
Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor, në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.