Disa prej deputetëve tanë duket se nuk e kuptojnë rëndësinë e të qënit ligjvënës. Shumë prej tyre e marrin rrogën mujore si deputetë duke mos marrë pjesë thuajse në asnjë komision parlamentar, duke mos u bërë kështu pjesë e ligjbërjes. “Shqiptarja.com” disponon pagesat e bëra për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për muajin shtator të këtij viti. Në një kolonë të posaçme, veç rrogës mujore specifikohen dhe pagesat për pjesëmarrjen në komisionet parlamentare.
Nga tabela vërehet se 17 deputetë kanë marrë zero lekë gjatë këtij muaji për pjesëmarrje në komisione, çka do të thotë së në shtator, ata nuk kanë marrë pjesë në asnjë komision parlamentar, ku janë diskutuar projektligje, ligje dhe marrëveshje të rëndësishme për shtetin shqiptar.