Një 28-vjeçar nga Farka e Tiranës në pamundësi financiare për të paguar tek inspektorët e DRSHTRR, me qëllim marrjen me rryshfet të patentës në kategorinë “C”, ka vendosur të fusë në kurth specialistët e Antikorrupsionit pranë policisë së Tiranës. Historia e pazakontë ka për autor të riun Arjel Kodra, i cili nuk ka qenë në gjëndje të paguajë për të marrë patentën shpejt dhe për pasojë i ka lindur në kokë të “kërkojë” para tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku është paraqitur në ambientet e këtij institucioni duke kryer kallëzim penal për akuzën e korrupsionit kundër inspektorëve të DRSHTRR dhe instruktorit të tij, të autoshkollës H.Sula. Arjel Kodra, u ka treguar specialistëve të atikorrupsionit se zyrtarët e DRSHTRR dhe instruktori i tij i kërkonin para në këmbim të marrjes së patentës së kategorisë “C”, por një shumë finaciare sipas tij i është kërkuar dhe për transferimin e dosjes së Arjel Kodrës nga Fieri në Tiranë.
Pagesa 260 mijë lek
‘Shqiptarja.com’ shkruan se të ndodhur përballë një kallëzimi që tregonte një rast korruptiv në drejtorinë e lëshimit të patentave Tiranë, specialistët e policisë së kryeqytetit kanë kërkuar bashkëpunimin e kallëzuesit Arjel Kodra. Ky i fundit ka rënë dakort të bashkëpunojë me policinë për të kryer veprimet stimuluese, për dhënien e shumës së parave tek instruktori i autoshkollës H.Sula dhe inspektorët e DRSHTRR. Nisur nga kjo situatë, specialistët e antikorrupsionit i kanë dhënë 28-vjeçarit shumën prej 260 mijë lekë të vjetra, të cilat kanë dalë nga fondi i policisë së kryeqytetit, për të vijuar hetimet ndaj këtij rasti korruptiv.
Pas marrjes së lekëve Arjel Kodra është hedhur në “sulm” duke paguar lekët tek inspektorët DRSHTRR dhe instruktori i autoshkollës. Të gjitha veprimet e tij janë monitoruar nga agjentët e policisë, ndërkohë që në trup 28-vjeçari Arjel Kodra ishte i paisur me aparatin e përgjimit të bisedave mes instruktorit dhe inspektorëve. Lekët që u dhanë nga policia tek 28-vjeçari Arjel Kodra janë paguar për marrjen e patentës së kategorisë “C”, ku pas marrjes së kësaj patente i riu ka hyrë në punë në një kompani.
Mori patentën,me lekët e policies
Teksa i riu ka bërë pagesat dhe ka marë patentën, ai u ka thënë policëve të Tiranës se nuk donte të bashkëpunonte më me ta. Kjo ka sjellë tërheqjen nga kallëzimi dhe ndryshimin e deklarimeve të tij.Nga ana tjetër policia i ka kërkuar ti qëndrojë kallëzimit të parë, por 28-vjeçari tashmë kishte marrë patentën duke përdorur lekët e policisë dhe ishte tërhequr. Nisur nga kjo situatë, policia e kryeqytetit kanë ngritur akuzën e “Kallëzimit të remë” ndaj Kodrës dhe materialet ia kaluan prokurorisë së Tiranës duke shtuar se: “…Arjel Kodra nuk ka dashur të kallzojë apo të bashkëpunojë për veprimtarinë kriminale por qëllimi ka qënë marrja e lejes së drejtimit, por ai ka përdorur vlerat monetare të shtetit siç edhe ka vepruar më parë duke konsumuar në këtë mënyrë elementet e veprës penale të “Kallzimit të rremë” dhe “Deklarimit te rreme para oficerit policise gjyqesore…”.
Dënimi nga gjykata
Pas marrjes së çështjes nga prokuroria, Arjel Kodra është dërguar në gjykatë si i pandehur për dy akuza. Një javë më parë 28-vjeçari është dënuar nga gjykata e kryeqytetit me dy muaj burgim, por për shkak gjykimit të shkurtuar ky dënim është ulur me 40 ditë burgim.