Nga Carlo Bollino/
Sot i gjithë stafi i Report TV, përfshi ata që punojnë në studio, doli në transmetim dhe do të vazhdojë deri në mesnatë të transmetojë me maskën antiCovid. Një nismë e vogël për të ndërgjegjësuar opinionin publik dhe për të edukuar për përdorimin e maskës, e cila bashkë me distancimin fizik dhe higjienën e duarve, mbetet mbrojtja më e mirë ndaj Covid-it. Të përdorësh maskën nuk është turp, as një shenjë dobësie, përkundrazi është shenjë respekti për jetën tënde dhe të të tjerëve. Nëse të gjithë do të përdornim maskën, mundësia e infektimit nga një person i sëmurë ulet në 1.5 % nga 90 % të mundësive që kemi kur nuk vendoset dhe pa ditur takojmë një person të sëmurë.
Si Report Tv ishim media e parë që kritikuam qeverinë (duke nisur nga ministrja e shëndetësisë) që për shumë javë asnjëherë nuk sugjeruan përdorimin e maskës, duke e konsideruar gabimisht një masë të tepërt. Shumë politikanë të tjerë ndoqën të njëjtën linjë, ndërsa një pjesë e opozitës jo vetëm shmangu përdorimin e maskës, por arriti deri aty sa të propagandojë në social media lajmin e rremë se Covid nuk ekziston.
Fatkeqësisht mediat sociale janë edhe në këtë moment foleja e parazitëve që në vend që të punojnë për familjen dhe për të mirën e përbashkët, “përkushtohen” për kuletën personale për ta shpenzuar të ulur nëpër kafenetë e duke mbjellë urrejtje, ironi dhe dezinformim. Beteja kundër Covid kërkon bashkëpunimin e përgjegjshëm të të gjithëve, e mbështetur nga ndërgjegjësimi se së bashku dhe duke respektuar rregullat, beteja mund të fitohet. Ja përse në fund të fundit kjo është edhe një betejë kulturore në të cilën përpjekjet e personave të ditur, kërcënohen nga sjelljet e papërgjegjshme të injoranteve.
Për këtë arsye falënderoj kolegët dhe gjithë stafin e Report TV (moderatorë, gazetarë, korrespondentë në të gjitha qytetet, kameramanë, teknikë, etj ejt ) që përkrahu me seriozitet dhe me sens qytetarie nismën tonë. Një nismë e vogël që ka marrë përkrahjen e madhe të shumë qytetarëve, por mbi të gjithë të mjekëve dhe infermierëve që privatisht apo publikisht na falënderuan. Pasi janë pikërisht mjekët dhe infermierët që luftojnë çdo ditë për të shpëtuar jetë njerëzve të shtruar në spital edhe vetëm pse besuan se maska ishte e panevojshme apo e sikletshme. Tani që është tepër vonë e kuptojnë sa i madh dhe dramatik është gabimi që bënë.