Nga Veton Surroi
1.
Alvaro e solli Petritin në vizitën e tij të parë në Madrid në Palacio de Cristal, Pallati i Kristaltë i Muzeut “Reina Sofia” të Madridit, ndër të spikaturit në botë.
Petriti, tashmë i dashuruar me Alvaron, u dashurua edhe me ambientin e Pallatit të Kristaltë, ngrehinës së madhe prej xhamit e hekurit që krijon afërsi dhe distancë me Parkun Retiro. I tha Alvaros se ky ishte vendi për t’u martuar.
Ka nja tetë vjet prej kësaj pune.
Në ato tetë vjet, Petriti mbajti mend se lulet e para që Alvaro ia dhuroi Petritit ishin boshtra të verdha (forsythia), se kur filluan të jetojnë bashkë në Berlin, mbollën një qershi që lulëzonte çdo pranverë dhe se kur shkuan t’i tregojnë nënës së Petritit për dashurinë e tyre të ndërsjellë, ia dhuruan lulet e palmës.
2.
Dhe përsërit gjithnjë se mbajti mend se prej nga vjen. Kostërrc quhet instilacioni i tij si përgjigje ndaj pyetjes që u bëhet individëve apo njërës prej meta-pyetjeve filozofike për origjinën tonë? Ndaj kësaj pyetjeje që i shtrohet tërë një bote në lëvizje, ai u përgjigj me gërmimin e një sasie prej një grope të rregullt (600x400x230 cm) nga oborri i shtëpisë së tij të rrënuar gjatë luftës në Kostërrc të Skënderajt prej nga u përzu dhe e shndërroi në eksponat të quajtur Kostërrc apo ‘Land for sale’, Tokë për shitje. Dheu i transportuar në thasë prej fshatit të tij të lindjes për në ekspozitën e madhe në Zvicër e vazhdoi rrëfimin e thjeshtë e të ndërlikuar të Petritit; e thjeshtë se ai dhe dheu janë një, të një vendi, të një prejardhjeje dhe e ndërlikuar është se ai dhe dheu prej nga vjen, duhet tash të integrohen atje, në dhe tjetër, truall tjetër, tokë tjetër, shoqëri tjetër.
Kur familja e tij më në fund realizoi ëndrrën dhe ndërtoi shtëpinë në Prishtinë, ai mori me vete konstruksionin e dërrasave që mbajti shtyllat dhe pllakën e shtëpisë së re dhe i ndërtoi si instilacion artistik në Berlin. Shtëpia e ëndrrave të prindërve të tij dhe të gjitha kuptimet e strehës dhe identitetit që i mban Shtëpia si e tillë, u bartën në Berlin, si pjesë e rrëfimit e mbamendjes në vazhdim që e bën Petriti.
Dhe kështu vazhdoi në Bienalen e Venecias. Nga drunjtë e fshatit të tij të lindjes krijoi një strukturë ndërthurjeje degësh, brenda së cilës jetonin në liri të veten dy zogj, të ndritur nga lumturia e tyre. Vetëm ata që njohin më mirë Petritin dinin se njëri prej dy zogjve ishte Alvaro. Për tjetrin dihet.
3.
E ftoi vjet Petritin drejtori i Muzeut “Reina Sofia” që ta bëjë ekspozitën e tij personale.
Dhe Petriti i ktheu në Palacio de Cristal lulet që ia kishte dhuruar Alvaro, tash të bëra nga coha e në madhësi gjigante nga të dy e bashkë me të, edhe lulet e qershisë së Berlinit dhe atë të palmës që ia dhuruan nënës.
Solli aty edhe një artefakt të rrallë të mbamendjes së Kostërrcit, një hu nga mullari i sanës me të cilin ndau gëzimin gjyshi i tij kur ishte në arë dhe dëgjoi se i kishte lindur djali i parë. Gjyshi i tij, thuhej, la pas të gjitha inhibicionet dhe vallëzoi e qau prej gëzimit me hurin, edhe pse burrit të asaj kohe – e ndoshta as kësaj – nuk i lejohet që të shprehë gëzimin si të dojë dhe kur të dojë.
Dhe, atë hu në ekspozitën e Madridit e mban në dorë një korb i bardhë, shenjë e qartë identitare të një ‘tjetri’ të atij që është ndryshe prej shumicës. Të atij që është i fesë tjetër, i ngjyrës tjetër të lëkurës, që flet gjuhë tjetër, që ka bindje të tjera politike, që është i gjinisë tjetër apo si në rastin e Petritit, që është homoseksual.
I paraqitur zyrtarisht si Petrit Halilaj (Kostërrc, Skenderaj, Republica de Kosovo), ai shpjegon kundërthënien identitare me të cilën ballafaqohet në vendin e tij të origjinës dhe në atë ku po ekspozon: në Kosovë është një ‘person gej, dashuria e të cilit nuk njihet plotësisht nga familja’ e në Spanjë ‘person që vjen nga Kosova, shteti i të cilit nuk njihet nga shumë vende (përfshirë edhe Spanjën)’.
4.
“Si mund ta krijoj një hapësirë ku secili identitet, subjektivitet, formë e dashurisë, e lidhjeve mes njerëzve dhe e kujdesit mund të njihet pa përjashtime? Si mund të ndalet ky proces i dhimbshëm, qoftë edhe për një çast dhe të shndërrohet në kremtim të formave tona të shumta të dashurisë dhe identitetit?”
Këtë e ka shtruar si pyetje, gati si detyrë projektuese për ekspozitën artisti në fjalën e vet hyrëse. Por, me sa pashë nga ekspozita dhe reagimet, Petritit i ka ndihmuar një artist edhe më i madh, Koha, gjëgjësisht konteksti kohor. Ekspozita e tij filloi të sajohej pak para se të fillonte mbyllja e kontinentit evropian – dhe një pjese të mirë të botës – si mbrojtje prej koronavirusit, dhe qe e para që u hap, ndërsa u ndërprenë masat e jashtëzakonshme në Spanjë. Vizitorët erdhën në Palacio de Cristal dhe panë lule të stërmëdha, këmbë shpezësh gjigande si shenja se nuk mund t’i masin gjërat vetëm prej kutit tonë njerëzor. Panë edhe se si ishin hapur për herë të parë dritaret e Pallatit dhe kishin hyrë brenda tij zogjtë e Parkut Retiro, duke shkrirë kështu kufirin mes krijimit artistik dhe atij që bën natyra. Dhe me këtë hapjen e rivlerësimit që e bëjmë gjithandej në kohë të pandemisë mbi brishtësinë e relacionit që ka njeriu me natyrën.
5.
Artistët Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano, kanë gjasa të martohen në Palacio de Cristal më 29 shkurt të vitit të ardhshëm, si pjesë e përmbylljes së ekspozitës, përmbushjes së dëshirës së kahmotshme të Petritit dhe si performancë e paralajmëruar e titullit të kësaj ekspozite që flet për ‘uraganët që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar’. Në pashmangshmërinë e performancave artistike me të cilat na befason realiteti, Petritit do t’i njihet e drejta e tij për të dashuruar kë të dojë e shtetit të tij të lindjes, të jetë e të quhet si të dojë.