Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se ndërrimi i qeverisë trimëroi kriminelët dhe zhvatësit e pasurisë publike të të gjitha llojeve. Këtë e tregojnë ngjarjet e djeshme lidhur me Telekomin.
Kurti ka shkruar në Facebook, se gjatë qeverisjes së tyre 50 ditëshe, kriminelët ishin strukur dhe nuk ndjeheshin të gjallë.
“Ishin të vetëdijshëm se me neve në qeveri, nuk kishin asnjë shpresë. Rishfaqja e tyre tani dhe në mënyrë kaq brutale dëshmon se qeverinë e paligjshme e konsiderojnë aleate të tyre. Ndryshe vështirë se do të kishin pasur guximin të lënë qytetarët dhe ekonominë e vendit pa komunikime jetike, duke rrënuar përfundimisht Telekomin e Kosovës. Vetëm në vitin 2009, Telekomi i Kosovës i kishte dhënë dividentë buxhetit të shtetit në vlerë prej 200 milionë euro. Deri në vitin 2014, kjo shumë arriti gjithsej në 435 milionë euro. E gërryen nga brenda dhe e rjepën nga jashtë me kontrata të dëmshme vit pas viti. Plaçkitësve tash po u ndihmojnë edhe gjyqtarë që thyejnë rekordin për efikasitet në kohë pandemie teksa qindra mijëra lëndë janë pluhrosur nëpër sirtarë të kyçur në Pallatin e Drejtësisë.
Zaten, kur krimineli e paditë viktimën dhe e fiton gjyqin, kjo do të thotë që ka gjykatës që janë bërë për burg. Rrezikohet të mbesin pa shërbim më se 800.000 abonentë. Rrezikohet shembja e bërthamës së komunikimeve elektronike në vend, me pasoja edhe për operatorët tjerë. Rrezikohet krizë sociale (duke nxjerrë mijëra punëtorë me familjet e tyre në rrugë), krizë e sigurisë kombëtare (duke i kanosur shërbimet qeveritare, të policisë, ushtrisë, prokurorisë, emergjencës e inteligjencës), krizë ekonomike (duke cenuar komunikimin e ndërmarrësve dhe tregut), dhe krizë shëndetësore (duke gjymtuar shërbimet shëndetësore si psh. qasja në linjat 194 për 800.000 qytetarë), e gjithë kjo në kohë të emergjencës për shëndetin publik”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se në anën tjetër, operatori i dytë për nga madhësia në vend, është nxjerrë në shitje.
Ndër blerës të interesuar është edhe Telekomi i Serbisë, i maskuar në konsorciume.“Pasojat do të jenë të rënda – ekonomike e sociale por edhe të sigurisë. Ky është një krim i pafalshëm. Të gjithë përgjegjësit, e dihen me emër dhe mbiemër, do të përgjigjen, kur ky vend të udhëhiqet nga një qeveri e përgjegjshme, dhe kur sistemi i drejtësisë të lirohet nga kapja, krimi dhe korrupsioni. Dhe, kjo ditë nuk do të vonojë”, ka shkruar ai.Përndryshe, Telekomit të Kosovës dje i janë bllokuar llogarit bankare nga përmbaruesi privat për rastin me “Z-Mobile”.
/e.rr