Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, mbi rastet në rritje të Covid-19 në vendin tonë, ka zgjedhur një formë ndryshe për të përçuar te qytetaratë mesazhin për respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Mjeku, i cili u infektua nga Covid-19 në fillimet e pandemisë, pas rikuperimit u kthye në detyrë. Ai iu kërkon bashkëqytetarëve të ruajnë atë traditë të qytetit të tij të lindjes që përshkruhet në histori dhe thotë se tashmë nuk duhet trimëria e përshkruar në vargje, por e njëjta vendosmëri e asaj historie për mikpritjen dhe respektin.
“Qyteti im i mrekullive, qyteti im i mikpritjes, qyteti im i traditës, qyteti im i natyrës, deteve, lumenjve, maleve dhe kodrave. Natyra ti ka dhënë të gjitha. Ty të ka shkruar Ali Asllani me gërma të gdhendura, askush nuk mundet të vendosi edhe një gërmë të vetme midis tyre”, shkruan Brataj, në mesazhin e fundit që ka përcjellë për qytetarët vlonjatë në veçanti dhe për shqiptarët në përgjithësi.
Postimi i plotë i shefit të Urgjencës, Skënder Brataj:
Zonjë e rëndë, e lartë, fisnike!
Qiellit i vjel ylberin,
në blerim i mbolle puthjet,
diellplotë e mbushe nderin.
Jam vlonjat, e dua Vlorën,
me dafinë e mbaj kurorën;
për Vlorën në zjarr vë dorën!
Kur kërkon Nëna Shqipëri
Vlonjatë bëhen të tërë.
Vlorës- dritë me histori
I rrimë gatitu në këmbë!
Unë nuk kërkoj sot atë trimëri të përshkruar në ato vargje.
Unë kërkoj të njëjtën vendosmëri, të njëjtën domethënie të asaj historie.
Ne vlonjatët mikëpritjen e kemi virtyt, e kemi besë, e kemi respekt, e kemi nder!
Miqtë në këto vite na janë shtuar shumë, turizmi na i ka shtuar shumë, gjë e cila na ka ndihmuar, na ka shtuar bizneset, na ka shtuar të ardhurat, kemi rritur cilësinë. Në verë ne dyfishohemi ose trefishohemi dhe kjo mirë se të vij!
Vlora duhet e sigurt për Shqipërinë, për shqiptarët kudo ndodhen.
A mundemi ne vlonjatët të respektojmë rregullat për të mbrojtur jetët tona, të familjeve tona, të miqve tanë, të shqipëtarëve?
A mundemi të bëjmë ne një model të respektimit dhe zbatimit të rregullave?
Sigurisht që mundemi:
Të mbajmë maskën,
Të ruajmë distancën
Të zbatojmë higjenën
Të detyrojmë miqtë, dhe turistët të sillen njësoj si ne
Ta bëjmë Vlorën një OAZ të gjelbër, të sigurt, argëtuese.
Ta bëjmë ne vlonjatët të parët këtë model bashkëjetese me koronavirusin.
Prandaj ti që do të hysh në Vlorë, respekto këto rregulla, respekto veten, resepekto Vlorën!
Ne nuk do ta mbnyllim Vlorën!
Ne do të mbajmë hapur Vlorën dhe Shqipërinë!
Bëhu pjesë e ruajtjes së shëndetit, bëhu pjesë e ruajtjes së vlorës!
Bëhu pjesë e modelit turizëm i sigurt.
/e.rr