Shqiptarët e Maqedonisë tifozllëkun e fshehur ndaj partive maqedone filluan ta shprehin përmes, gjoja, kritikave të tyre drejtuar njërës apo tjetrës parti shqiptare, për të përfunduar në një përqafim të hapur të opcioneve maqedone, siç ndodhi viteve të fundit me rrjedhjen kaq erozive të votave të shqiptarëve në ‘’kavanozin’’ politik të Zoran Zaevit
Nga Emin AZEMI/Shkup
Prej të hënës deri të mërkurën (13, 14, 15 korrik) , nga ora 7-21, në Maqedoni do të ketë zgjedhje (të parakohshme) parlamentare. Kësaj radhe për shkak të krizës shëndetësore, do të votohet më ndryshe. Brenda këtyre tri ditëve do të votojnë kategori të ndryshme votuesish, varësisht nga gjendja dhe statusi i tyre.
Por, çka sjellin këto zgjedhje për shqiptarët në rrafshin politik, social, e zhvillimor?
Shqiptarëve të Maqedonisë edhe në këto zgkedhje iu është nevojitur një absorbim më i madh i mendjeve e veprimeve, në mënyrë që politikat e tyre të mos jenë zgjatime karikaturale të doktrinave djathtiste e majtiste maqedonase. Hapësirë për opozitarizëm të shpifur brendashqiptar nuk ka gjithaq, sepse ajo hapësirë duhet mbushur me idetë e parrumbullaksuara të një zgjimi kombëtar dhe një kundërvënie intelektuale doktrinave maqedone, të cilat ende shkëlqimin e tyre e matin me errësirën e sinkopave shqiptare.
Fuqia politike e faktorit vendimmarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe për fat të keq kjo fuqi ka ardhur duke u rritur fal mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve.
Kjo rrëshqitje e shkallëshkallshme e filozofisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë në pragamtizmin banal të bashkëjetesës së dy tendencave etnike që pajtoheshin vetëm për çështje të politikës së ditës dhe për ndarjen e ndonjë trofeu që sjell pushteti, pamundësoi krijimin e frymës së bashkërendimit dhe bashkëpunimit brendakombëtar të shqiptarëve.
Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedone e shndërroi në dogmë nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi. Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në brenda në Maqedoni dhe diasporë. Këta të fundit askush nuk po i fton, ndërkohë që kriteri i përshtatshmërisë partiake, vazhdon të zëvendësojë diplomat e studentëve të shkëlqyeshëm(!).
Kjo zhveshje e politikës nga bagazhi intelektual i ndihmoi procesit të degradimit të ideve nga niveli i shteformimit në skema koniukturale që kushtëzoheshin prej marrëdhënieve politike të partneritetit shqiptaro-maqedon brenda koalicioneve bashkëqeverisëse. Një skematizim i tillë i organizimit politik të shqiptarëve, solli surrogate të papëlqyeshme të teknologjisë së pushtetbërjes, duke nxjerë në pah pragmatizmin partiak para kauzave afatgjate kombëtare.
Shqiptarët e Maqedonisë tifozllëkun e fshehur ndaj partive maqedone filluan ta shprehin përmes, gjoja, kritikave të tyre drejtuar njërës apo tjetrës parti shqiptare, për të përfunduar në një përqafim të hapur të opcioneve maqedone, siç ndodhi viteve të fundit me rrjedhjen kaq erozive të votave të shqiptarëve në ‘’kavanozin’’ politik të Zoran Zaevit.
Dimensioni i pushtetit nga partitë politike shqiptare në Maqedoni është kuptuar si luftë për “jetë a vdekje”, por edhe si përjashtim arbitrar i çfarëdo lloj bashkëpunimi me ndonjë forcë oponente shqiptare për çështje të caktuara, prandaj kryeministrat maqedonas e kanë patur gjithmonë opcionin rezervë të “partnerit që pret prapa dere”. Fatkeqësisht, në raste të caktuara ky truk i tyre ka dhënë edhe rezultate, kurse ajo që asnjëherë nuk arriti të projektohet në kauzë nga shqiptarët është pamundësia e krijimit të kontesteve të mëdha institucionale, qoftë përmes mospjesëmarrjes në krijimin e kabinteve qeveritare, qoftë duke imponuar dekalogje që do të shprehnin afinitet politike të gjithë spektrit politik e civil të shqiptarëve të Maqedonisë.
Që të pengohet ky tribalizëm i mëtejm i politikës, shqiptarëve të Maqedonisë iu nevoitet përfundimisht një koncentrim vendimmarrës( jo më shumë se dy opsione politike) përmes një PLATFORME KONSENSUALE PËR ÇËSHTJE TË RËNDËSISHME KOMBËTARE e cila në të ardhmen (jo si tani) do t’iu mundësonte zgjedhjen e mbi 30 deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë.
Çka do të përfitonin shqiptarët në Maqedoni nëse krijohet një PLATFORME KONSENSUALE PËR ÇËSHTJE TË RËNDËSISHME KOMBËTARE, me kusht që ajo të amortizoj deri në maksimum përçarjet dhe fragmentimet brenashqiptare.
E para, vota shqiptare në të ardhmen do të fitonte në peshë si asnjëherë më parë dhe kjo fuqi politike do të prodhonte një përqindje të konsiderueshme mandatesh në Parlament, i cili do të përcaktonte drejtpeshimin politik brenda dhe jashtë Parlamentit;
E dyta, doktrina politike e shqiptarëve të Maqedonisë do të kishte një adresë ku do të fokusoheshin problematikat aktuale dhe ato që duhet të zgjidhen në të ardhmen, duke filluar nga statusi i gjuhës, e deri te një ndarje e re administrative sipas interesave ekonomike, kulturore e sociale e territorit të Maqedonisë;
E treta, fuqia negociuese e shqiptarëve me faktorin politik maqedonas do të ridimensionohej në një performancë efikase përfaqësimi, duke përfshirë interesat e gjithë spektrit politik shqiptar dhe duke manifestuar një unitet idesh e jo individësh për çështje e problematika të përbashkëta;
E katërta, kjo PLATFORME KONSENSUALE PËR ÇËSHTJE TË RËNDËSISHME KOMBËTARE do të vendosë për përfshirjen apo jo në bashkëqeverisje me ndonjë parti maqedonase dhe prej përpara do të dihen kushtet që do të përcaktonin rrjedhën e mëtejme të procesit negocues;
E pesta, PLATFORME KONSENSUALE PËR ÇËSHTJE TË RËNDËSISHME KOMBËTARE vendos se për cilat çështje duhet të ketë konsensus brendashqiptar dhe cilat çështje mund të ngelin pjesë e modaliteteve pluraliste që do të pasuronin koloritin e specifikave të skenës politike shqiptare në Maqedoni.
Ndryshimi i praktikave të deritanishme të koalicionimit me partitë maqedonase, eliminimi i interesave klienteliste me prapavijë korruptive dhe kriminale brenda strukturave partiake dhe forcimi i bashkërendimit brendashqiptar për çështje konzensuale, prej të cilave varet pjesëmarrja apo jo në qeveritë e ardhshme, do të dihej të jenë pjesë e PLATFORMËS KONSENSUALE PËR ÇËSHTJE TË RËNDËSISHME KOMBËTARE, e cila, gjithsesi duhet të ndodhë pasi që subjektet e tanishme shqiptare t’i kenë bërë një skanim të thellë strukturave të brendshme partiake, duke flakur të gjitha ato segmente të korruptuara e kriminalizuar që de facto ishin frenuesit më të mëdhenj të politikave të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sistemit.
- korrik 2020