Shefi i kardiologjisë në QSUT, Edvin Prifti ka folur mbi situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusi në vendin tonë.
Në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’ ai tha se qytetarët duhet të besojnë se virusi ekziston dhe duhet të respektojnë masat.
“Jemi shumë larg modelit italian. Nëse do përkthehej modeli Italian për numër popullate në vendin tonë ne duhet të kishim 40-45 humbje jete në ditë gjë që nuk ndodh dhe me qindra të infektuar cdo ditë, por kjo nuk do të thotë që të mos na shfaqet një model i tillë pas një muaji apo pas dy muajsh. Shikon njerëzit pa asnjë lloj mbrojtje, nëpër restorante e bare, Arrijmë në absurditete sa komshitë e mi më thonë ‘ doktor kjo është një gënjeshtër, pra njerëzit kanë arritur tani ta perceptojnë sikur kjo sëmundje është një trillim, gjë që nuk është absolutisht vërtetë”, tha Prifti.
Mjeku ka deklaruar se ka operuar paciente të cilët kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Ndër të tjera Prifti tha se çuditërisht Covid-19 ka dalë nga linjat e mjekësisë klasike të post paster, që një sëmundje infektive bën batërdinë në ata që kanë imunitetin më të ulët.
“Rasti më i fundit është një paciente e cila u transferua nga kardiologjia në kushtet e urgjencës, u diagnostikua me një sëmundje të rëndë të valvulave të zemrës dhe u operua nga ekipi ynë, operacioni shkoi mirë. Nuk kishte asnjë shenjë, por pati një situatë temperature dhe në këto kushte ne kërkuam tamponin, i cili doli pozitiv. Pacientja transferohet në sëmundjet infektive, aktualisht është mirë. Nëse do ketë nevojë për shërbim kirurgjikal ne do shkojmë të mbrojtur dhe ajo do marrë shërbimin. Nuk duhet të marrë kjo cështja e të qenit pozitiv si një çështje që duhet të mbyllen shërbimet, absolutisht. Ne duhet të bashkëjetojmë dhe ta luftojmë këtë sëmundje por duke patur parasysh që spitalet duhet të jenë funksionale duke respektuar masat, duke izoluar që kontaminimi të reduktohet maksimalisht. Çuditërisht COVID-19 ka dalë nga linjat e mjekësisë klasike të post paster, që një sëmundje infektive bën batërdinë në ata që kanë imunitetin më të ulët. Në fakt ka të dhëna që grupe të caktuara pacientësh, që shkencërisht kanë imunitet më të ulët, nuk na rezulton të kenë vdekshmëri më të lartë në nivel botëror. Ky do kërkoj disa studime,” tha mjeku.
/e.rr