Gjatë korrikut, numri i të infektuarve me Covid-19 pritet të rritet dhe nëse qytetarët nuk ndërgjegjësohen për të treguar më shumë kujdes, mund të rivendosen kufizime.
Kështu u shpreh Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në 9 korrik, i ftuar në emisionin Opinion.
Ai tha se në korrik do të shihen efektet e hapjes së menjëhershme gjatë qershorit:
“Korrikun do ta kemi në ngritje, është maksimumi i dëmit që është bërë. Ne tani kemi efektet e qershorit. Rezultati që kemi tani është dëmi që është shkaktuar nga hapja e menjëhershme. Do të paktën 4 javë, domethënë nga java 0 që t’i fillon hap masat, kontaktet, transmetohet virusi dhe ne në këtë periudhe jemi në fillimin e pasojave të qershorit. Kjo javë është në rritje dhe është java që përkon me dëmet e qershorit”.
Brataj tha se nëse qytetarët do të vazhdojnë me këtë pakujdesi që kanë treguar javët e fundit, atëherë do të nevojitet rivendosja e disa kufizimeve:
“Nëse qytetet do vazhdojnë në këtë mënyrë, nëse Tirana do vazhdojë me baret ngjeshur njëri me tjetrin, qyteti që do jetë transmetim komunitar i hapur dhe detyrimisht që do të kufizohet. Mënyra e jetesës do fillojë të kufizohet si në çdo shtet tjetër, nuk ka mënyrë tjetër. Nuk mund të lësh jetën e njerëzve në dorën e aventurierëve. Kështu që në një mënyrë po kërkohet dhe po insistohet me çdo kusht që njerëzit të ndërgjegjësohen që koronavirusi ekziston, infekton, sëmur dhe merr jetë edhe në moshë të re.”
/a.r