Nga Enver Robelli
Në zgjedhjet lokale që u mbajtën së fundi presidenti francez Emmanuel Macron ka pësuar një humbje të rëndë. Në shumë qytete të mëdha në postet e prefektëve janë zgjedhur simpatizantë të lëvizjes ekologjike. Edhe Francën e ka përfshirë vala e gjelbër. Macron ka reaguar menjëherë duke emëruar një kryeministër të ri: Jean Castex. Dhe duke futur në kabinet ministra të rinj – jo nga mosha. Tre prej tyre po i prezantojmë këtu.
1. Ministrja e Kulturës Roselyne Bachelot
Në kohën e presidentit Jacques Chirac, Roselyne Bachelot ka qenë ministre e ambientit dhe sportit. Në kohën e Nicolas Sarkozy ajo ishte ministre e Shëndetësisë. Në vitin 2009 ajo bleu dyqind milionë maska dhe 94 milionë doza me vaksina për të luftuar pandeminë e gripit H1N1. Gripi nuk qe aq i ashpër, vdiqën vetëm 342 njerëz. Auditorët francezë arritën në përfundimin se Bachelot ka harxhuar kot 382,7 milionë euro. Para disa javësh ajo tha: “Kam menduar se do të rehabilitohem tek pas vdekjes sime”. Bachelot muajve të fundit ka qenë shpesh mysafire në emisione televizive ku ka folur si eksperte e çështjeve shëndetësore. Tani Bachelot, 73-vjeçare, është kthyer në kabinetin e Jean Castex. Në Francë kryeministri është si të thuash asistenti i parë i presidentit. Vendimet kryesore politike i merr kryetari i shtetit. Sistemi presidencial francez daton nga viti 1958, kur gjenerali Charles de Gaulle themeloi Republikën e Pestë. Roselyne Bachelot do të jetë ministre e Kulturës. Paraardhësi i saj në post ishte një tregtar veturash. Bachelot e pëlqen muzikën e Richard Wagnerit, ka shkruar një libër për Giuseppe Verdin dhe ka përgatitur një antologji të operës franceze. Në radion France Musique ajo flet si eksperte.
2. Ministri i Drejtësisë Eric Dupond-Moretti
Eric Dupond-Moretti është avokat. Njëri prej më të njohurve në Francë, ndoshta më i njohuri. Për nga teatralizmi mund të krahasohet me Spartak Ngjelën. Ndërsa avokati nga Tirana skenë teatri i ka ekranet televizive, Eric Dupond-Moretti, 59-vjeçar, luan në teatër. Që nga fillimi i vitit 2019 ai del në skenën e Théâtre de la Madeleine dhe rrëfen për fëmijërinë e tij, për përditshmërinë e tij, për jetën profesionale dhe përse është bërë avokat. Fjalët mbrojtëse nëpër gjykata e kanë bërë Eric Dupond-Moretti të njohur në mbarë Francën. Gjatë karrierës së tij ai ka mbrojtur politikanë, shefa të grupeve kriminale, profesorë dhe vëllain e terroristit Mohamed Merah (ky i fundit më 2012 vrau 7 njerëz në Toulouse). Eric Dupond-Moretti thotë se nuk i pëlqen shoqëria e hipermoralizuar, grupet feministe e kanë pritur me shqetësim emërimin e tij. Nëna e ministrit është italiane, ajo ka qenë pastruese. Në fjalimin e tij të parë Eric Dupond-Moretti tha se ministria që drejton ai do të jetë “ministri e antiracizmit”. Kjo ishte goditja e parë që ia dha nga posti i ri politikanes djathtiste Marine Le Pen.
3. Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin
Gérald Darmanin nuk është i pari ministër francez me prejardhje të huaj. Mes viteve 2007-2009 ministre e Drejtësisë ka qenë Rachida Dati, babai i së cilës është maroken, e ëma algjeriane. Edhe Gérald Darmanin është algjerian me origjinë. Në luftën algjeriane, një ndër traumat e mëdha të historisë bashkëkohore franceze, familja e Darmanin ia ka mbajtur anën Francës. Në Luftën e Dytë Botërore gjyshi i Darmanin iu bashkua lëvizjes antinaziste franceze të njohur si Résistance. Pas pavarësisë së Algjerisë nga Franca, të afërmit e Darmanin i frikësoheshin hakmarrjes nga pushteti i ri algjerian, i cili i ndiqte të gjithë ata që dyshoheshin se kanë qenë “harki” – nga arabishtja haraka(t), lëvizje, e cila ishte mbështetëse e armatës franceze gjatë luftës në Algjeri (1954-1962). Familja Darmanin vazhdoi jetën në Francën veriore. E ëma e Darmanin punonte si mirëmbajtëse shtëpish dhe u martua me një kamerier francez me origjinë malteze. Darmanin tha se si nip i një mërgimtari është “nder i madh të jem ministër i Brendshëm i vendit tonë të bukur”. Darmanin, 37-vjeçar, konsiderohet talent politik që është përkrahur me vite nga presidenti i dikurshëm Nicolas Sarkozy. Gérald Darmanin ballafaqohet me një problem që me gjasë ka shpresuar se e ka tejkaluar: një paditëse 46-vjeçare e fajëson për ngacmim seksual dhe përdhunim. Në vitin 2018 rasti ishte mbyllur nga instanca e parë. Por një gjykatë e apelit ka kërkuar rifillimin e hetimeve.
Me ministrat e ri – disa etiketohen si të majtë, por s’janë të tillë, të tjerët janë neoliberalë të sertë – Emmanuel Macron shpreson t’i fitojë zgjedhjet presidenciale pas dy viteve. Në përgjithësi ekipi i Macronit tani nuk është liberal, por qartë i djathtë. Çka domethënë kjo për Ballkanin? Para së gjithash edhe më shumë skepticizëm sa i përket integrimeve europiane. Do të ishte një mrekulli nëse Macron së paku heq vizat ndaj qytetarëve të Kosovës. Presidenti francez është kundërshtari më i madh i liberalizimit të vizave. Ai synon që para zgjedhjeve të sfidojë të djathtën nacionaliste të Marine Le Pen duke u shfaqur si politikan i dorës së fortë që nuk ia heq vizat edhe një shteti ballkanik, prej nga mund të vijnë azilkërkues me të cilët duhet të ballafaqohet sistemi social i Francës. Ikja masive e qytetarëve të Kosovës në vitet 2014/15 e ka forcuar bindjen te shumë politikanë francezë se heqja e vizave mund të rrisë këtë trend. Kjo është padrejtësi kur merret parasysh se në dhjetë vitet e fundit vendeve të tjera të Ballkanit u janë hequr vizat.