Policia e Shtetit ka përsëritur thirrjen për të gjithë qytetarët që janë infektuar me koronavirus, duke iu kërkuar të mos dalin nga shtëpia, pasi listat e përditësuara zotërohen nga autoritetet, që më pas bëjnë edhe kontrollet.
Në një video të publikuar së fundmi policia bën kontrollet në banesat e pacientëve të cilët janë vetizoluar në shtëpi.
Mesazhi i policisë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe të Komisariateve në varësi të saj vijojnë kontrollet e herëpashershme në banesat e të prekurve nga COVID-19, me qëllim kontrollin për respektimin me rigorozitet të vetëkarantinimit, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Në qarkun Korçë, Policia disponon të gjitha listat e përditësuara me personat e prekur nga COVID-19 dhe zhvillon kontrolle të përditshme tek çdo person, gjatë ditëve të vetëkarantinimit.
Policia e Korçës apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë distancimin social, lokalet dhe bizneset të respektojnë protokollet e sigurisë, të prekurit nga COVID-19 të respektojnë detyrimisht vëtëkarantinimin, duke bërë të mundur që të gjithë bashkë të kontribuojmë në parandalimin e përhapjes së COVID-19.
/e.rr