Massimiliano Allegri ka lavdëruar Zinedine Zidane për qasjen taktike gjatë kohës së tij si trajner i Real Madridit. Trajneri italian, i cili pranoi se ishte kontaktuar nga “Los Blancos” më parë, foli shumë për Zidane, Pep Guardiola dhe Diego Simeone në një intervistë ekskluzive për “Marca”.
Keni qenë jashtë trajnimit, që pas largimit nga stoli i Juventusit në verën e vitit 2019. Çfarë keni bërë qysh atëherë?
Kam “karikuar bateritë” e mia dhe kam shijuar kohën me familjen dhe qytetin e lindjes, Livorno. Jam çmallur me miqtë e mi të përjetshëm.
A e shihni të menjëhershëm rikthimin tuaj si trajner në Itali apo në një klub të huaj?
Nuk më intereson vërtet se ku, në Itali apo jashtë. Unë jam duke kërkuar një klub, me të cilin të ndaj një project. Sigurisht, ky klub duhet të ketë ambicien për të garuar për të fituar.
A do të dëshironit të stërvitni në La Liga?
Kush është ai, me mendje normale, që do t’i thoshte “jo” kësaj pyetjeje… Askush.
Ju keni fituar pesë tituj në Serie A, me Juventusin. A mendoni se bardhezinjtë do të fitojnë të nëntin radhazi, këtë sezon?
Struktura te Juventusi është ndërtuar për të fituar dhe vetëm fituar. Vetëm për këtë. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se do të vazhdojnë të fitojnë për shumë vite.
A mendoni se Milani mund ta fitojë përsëri titullin, ose të paktën të sfidojë rivalët për këtë?
Për fat të keq, unë mendoj se ende nuk është në këtë nivel. Milani ka nevojë për një projekt të fortë dhe qëndrueshmëri. Ndryshimi i skuadrës aq shumë në çdo sezon nuk e lejon të rritet.
A mendoni se Lautaro Martinez ka potencial për të luajtur te Barcelona?
Fanella e Barcelonës peshon rëndë, ndaj çdo lojtar duhet të ketë forcë dhe personalitet për ta veshur atë. Lautaro i ka të gjitha cilësitë për të pasur sukses. Ai po bën shumë mirë tek Interi për momentin, por do të shohim nëse mund të transferohet në “Camp Nou” një ditë.
Cili mendoni se është ndryshimi më i madh midis La Liga-s dhe Serie A?
Ka më shumë kënaqësi të luajturit në La Liga, pa marrë parasysh rezultatin. Pasi pëson një gol, skuadra vazhdon të luajë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Në Itali, nga ana tjetër, ka shumë më tepër dashuri dhe vëmendje për detajet e lojës dhe taktikat. Truri thuajse gjithmonë vendos para zemrës, në përgjithësi.
A mendoni se është më e vështirë të luash në futbollin italian?
Po, për shkak të asaj që thashë më parë. Këtu, lojtari nuk ka shumë liri për ta shijuar veten në një mënyrë thjesht instinktive. Kjo ndonjëherë e bën të vështirë situatën, kur bëhet fjalë për të luajtur.
Pse “sundimi” i brendshëm i Juventusit nuk “përkthehet” në garat europiane?
Bardhezinjtë nuk e kanë fituar Ligën e Kampionëve që nga viti 1996. Unë nuk pajtohem me këtë, që në Europë nuk paraqiten mirë, vetëm në Serie A. Vitet e fundit, ata kanë bërë shumë mirë, duke arritur në dy finale (2015 dhe 2017), me disa eleminime shumë të diskutueshme.
A mendoni se Cristiano Ronaldo do të jetë te Juventusi për shumë vite, akoma?
Po, sigurisht.
A mendoni se Juve ka goditur me blerjen e tij?
Po, absolutisht, pa dyshim.
Cilin trajner spanjoll admironi?
Pep, padyshim. Gjithashtu, Luis Enrique, shumë.
Cila gjë ju pëlqen më tepër nga Zinedine Zidane?
Fuqia që ai kishte në gjetjen e ekuilibrit të domosdoshëm të një ekipi kaq të mbushur me klas dhe talent. Për mua, pozicionimi i Casemiro ka qenë “master taktik” nga Zidane.
Çfarë ju pëlqen nga Diego Simeone?
Aftësia unike për të krijuar empati me grupin e tij. Diego dhe skuadra e tij janë një miksim unik. Nuk di ndonjë trajner tjetër, të aftë të arrijë diçka të ngjashme si Diego.
Ju jeni lidhur me Real Madridin disa here. A kishte ndonjë shans që të bashkoheshit?
Dy vite më parë patëm kontakte, por asgjë nuk ndodhi, sepse unë kisha një kontratë me Juven. Për më tepër, kam pasur një angazhim të fortë moral ndaj klubit dhe tifozëve bardhezinj.
g.kosovari