Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka nisur hetimet lidhur me dyshimet për vdekjet e pacientëve me COVID-19, që kanë ndodhur në orët e para të së dielës në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).
Vdekjet e tyre ishin misterioze, teksa ka dyshime se ato mund të kenë ndodhur si pasojë e mungesës së oksigjenit.
Nisjen e hetimeve e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Artan Grantolli, nga Prokuroria e Shtetit, sipas të cilit, “hetimet janë duke u bërë në mënyrë intensive”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se të dielën ka regjistruar nëntë të vdekur me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Gjatë të dielës, mediat kanë raportuar se vetëm katër pacientë kanë vdekur nga koronavirusi në natën mes të shtunës dhe të dielës.
Në ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) të dielën përmes një komunikate për media, kanë thënë se “për shkak të shtimit të numrit të vdekjeve brenda një afati të shkurtër kohor, janë ngritur dyshime lidhur me natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve”.
“Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, MSH dhe SHSKUK u bëjnë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore”, është theksuar në komunikatë.
Gjithashtu, në oborrin e QKUK-së, të dielën në mëngjes u panë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët rrethuan me shirita të policisë Klinikën Infektive, por më vonë i hoqën ato. Deri më tani, nga ky insititucion nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me këtë rast.
Ndërkohë, Arbnora Fazliu nga Mitrovica, vajza e një pacienti 70-vjeçar, që ka qenë i infektuar me koronavirus, e që ka vdekur në orët e hershme të së dielës, deklaroi për mediat se dyshon që babait të saj nuk i është dhënë ndihma e duhur mjekësore.
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve, pas vdekjeve të dyshimta në QKUK, kërkoi dorëheqjen e kreut të këtij institucioni, Basri Sejdiut.
Numri i të vdekurve në Kosovë nga koronavirusi ka arritur në 75. Të dielën, IKSHPK-ja njoftoi se viktimat kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese, por nuk dha më shumë detaje.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se të dielën ka regjistruar edhe 152 raste të reja. Në Kosovë deri më tani janë regjistruar 3,508 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1,531 vazhdojnë të jenë raste aktive.
/e.rr