Nga Alfred Peza
Hedhja në erë e takimit të 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë, për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, provokoi jo vetëm një nga debatet më të mëdha me këtë temë por na bëri që të shohim në sy disa të vërteta që deri para kësaj, nuk thuheshin me zë të lartë.
- Raporti i drejtësisë me politikën
Kur zyra e Prokurorit Special të Hagës njoftoi se ka ngritur akuza kundër Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryetarit të PDK Kadri Veseli, është pranuar gjerësisht se ky hap nuk kishte të bënte me drejtësinë, por me politikën. Sepse akuzat ishin ngritur që më 24 prill, 2 muaj përpara se të bëheshin publike dhe vetëm 3 ditë përpara takimit që synonte arritjen e pajtimit e njohjes reciproke.
Analizat e bëra nga personalitete botërore që kanë qenë pjesë e këtij dialogu në të shkuarën, nuk e fshehin se deklarata e tejkalonte të drejtën e vet, duke pranuar kësisoj se indirekt ishte në funksion të lojës politike. Të lojës që pyet: Dialogun, e udhëheq SHBA apo BE? Apo e koordinuar nga të dyja palët?
Ky kazus tregon sesa të drejtë kishte Piero Kalamandrei kur thoshte se “kur nga dera e drejtësisë hyn politika, drejtësia del nga dritarja!” Sepse pas kësaj, për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, për UÇK dhe luftën e Kosovës sido që të jetë vendimi në fund, ajo gjithçka do të quhet por vetëm drejtësi jo. Sepse politizimi që iu bë kësaj çeshtje, përmes njoftimit të Prokurorit të Posaçëm, ka hedhur në erë bashkë me takimin e Shtëpisë së Bardhë edhe besueshmërinë e kësaj çështje dhe integritetin e Gjykatës Speciale.
II. Dialogu, i pavarur nga Gjykata Speciale?
Një nga tezat që qarkullon në Prishtinë, në mediat shqiptare e ndërkombëtare pas kësaj, është se rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë i pavarur nga procesi në Gjykatën Speciale të Hagës. Teorikisht kjo është gjëja më logjike që duhet të ndodhë. Kjo është shumë e bukur për të qenë e vërtetë.
Sepse në praktikë, për aq kohë sa deklarata e Prokurorit Special e bërë publike më 24 qershor, jo vetëm për nga koha por edhe nga përmbajtja, u pa që nuk kishte të bënte me marrëdhëniet me publikun por me minimin e takimit në SHBA, kuptohet që ajo nuk është e pavarur. Por duam apo sduam ne, e pranon apo nuk e pranon Prokuroria e Posaçme e Hagës, ajo është bërë tashmë palë. Pra, nuk është e pavarur.
Si mund të kemi një dialog të pavarur mes Kosovës e Serbisë nga puna e Gjykatës Speciale, kur që në gjenezë të saj, procesi që do zhvillohet mbi akuzat e ngritura nga Prokurori nuk ishte i pavarur?!
III. Pajtimi, në dorë të brezave të ardhshëm?
Për nga mënyra sesi po rrjedhin ngjarjet pas anullimit të takimit, një nga pyetjet që shtrohet është: A do ia arrijë pas kësaj, elita aktuale politike në Prishtinë dhe Beograd, që ta sigurojnë paqen dhe njohjen e ndërsjelltë? Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, etj janë aktorët kryesorë të jetës politike shqiptare në Kosovë dhe të gjithë janë ballafaquar me Hagën.
Nga ana tjetër edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç është vizatuar nga mediat shqiptare si një nga “shërbëtorët” e Vojsllav Sheshelit dhe Sllobodan Millosheviçit të akuzuar si ideuesit dhe realizuesit e genocidit dhe projektit të spastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë. Nga përfundimi i luftës dhe çlirimi kanë kaluar 21 vjet, ndërsa nga shpallja e pavarësisë, 12 vjet. Vuçiç është betuar dhjetra herë se kurrë nuk do ta firmosi njohjen e një Kosove të pavarur nga Serbia.
Pyetja që shtrohet pas kësaj është: A mund ta arrijë ky brez politikanësh paqen dhe njohjen reciproke? Apo duhet të presim të vijë një brez tjetër politikanësh në Beograd, që të bëjë xhestin e ish Kancelarit Vili Brandt më 1970, për tu ulur në gjunjë për krimet e nazizmit në Luftën II Botërore?!
Ekuacioni i raportit mes Prishtinës dhe Beogradit është komplikuar sëtepërmi, jo vetëm për të dyja palët, por edhe për ndërkombëtarët. Një gjë është e sigurtë, se Haga në vend që të kontribuojë për drejtësinë, i shërbeu lojës politike të ditës! Fakt është se pas kësaj, si drejtësia për krimet e pretenduara, ashtu edhe zgjidhja politike për të ardhmen e Kosovës e Serbisë, sot janë më larg se kurrë.