Nehat Kulla i njohur si Gjenerali ose i forti i 1997-ës ka ndërruar jetë. Kulla është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare. Ai ka ndërruar jetë papritur në banesën e tij në Tiranë.
Kulla pak kohë më parë la dhe qelinë e burgut të Fushë-Krujës, pas dënimit me 20 vjet burg për vrasjen me paramendim të shtetasit Halim Gjuzi, ish-shoferi i ish-zv/ministrit të Arsimit, Halit Shamata. Kulla e kreu të gjithë burgimin, pasi fitoi disa herë ulje të dënimit.
Kohët e fundit në burg ai pati vizita dhe nga njerëz të politikës, pasi deputeti Kujtim Gjuzi që është shprehur se është miku i tij, shkoi dhe e takoi në qeli. Kulla pak kohë më parë humbi dhe vëllain e tij, Ramazan Kulla, pasi ishte prekur nga COVID-19.
Kush ishte Nehat Kulla?
Nehat Kulla, i njohur të gjithë si “Gjenerali” i Kinostudios e Tufinës është i njohur për bandën që kishte krijuar në vitet 1997-1998 dhe vëproi në fshatin Tufinë në Tiranë. Ky grupim i tij u krijua pas trazirave të vitit 1997. Teksa Tirana dhe e gjithë Shqipëria digjej nga lufta civile që po zhvillohej, ai së bashku me familjarë e miq të tij mbanin të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë.
Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mbajtën repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën “Gjenerali”, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.
Nofka “Gjenerali”
Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Chevrolet me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.
g.kosovari
Edi rama DHE ORGANIZATA ne ZI